Mos lejo asnjëherë të shkojë dëm një krizë e mirë! Nuk ka dyshim se Polonia përballet me një emergjencë reale. Mijëra emigrantë që synojnë të kalojnë kufirin e saj me Bjellorusinë, kanë ngritur kampe në pyjet e lagështa dhe plot shkurre, që shënojnë kufirin midis dy vendeve.
Raportohet se 9 persona kanë vdekur deri tani në përpjekje për të hyrë në vend, teksa rojet kufitare polake thonë që nga muaji gusht i këtij vit, ka pasur më shumë se 30.000 përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin.
Polonia ka shtuar forcat e saj të sigurisë përgjatë kufirit. Dhe në një video të fundit të bërë virale në rrjet, shihen dhjetëra oficerë polakë që formojnë një barrierë njerëzore për të penguar kalimin e emigrantëve, që sapo kishin shembur një gardh me tela me gjemba.
Kjo situatë dramatike, është produkt i politikave të udhëheqësit bjellorus Aleksandër Lukashenko, i cili po përpiqet që të përdorë si armë mijëra njerëz të dëshpëruar dhe të etur për të hyrë në Bashkimin Evropian, si një mënyrë për të ndëshkuar bllokun për sanksionet e vendosura ndaj tij dhe aleatëve të tij, pas shtypjes brutale të protestave pro-demokracisë që pasuan rezultatet e kontestuara të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.
Por kjo nuk do të thotë se kriza nuk po vjen në një kohë të përshtatshme për partinë polake nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS). PiS ka rënë ndjeshëm në sondazhe, pasi ashpërsimi i ligjeve të abortit u fajësua për vdekjen pak ditë më parë të një gruaje të re nga shoku septik, pasi mjekët vonuan abortin e fetusit të saj.
Mijëra njerëz marshuan në qytetet e gjithë vendin, duke protestuar kundër partisë në pushtet, dhe ndaj politikave që burojnë nga aleanca e saj e ngushtë me Kishën Katolike. Një sondazh i ri, zbuloi se PiS gëzonte mbështetjen e 32.5 për qind të qytetarëve.
Pra ajo që është ende partia më e madhe në vend, por pas peshës elektorale të përbashkët që kanë të dyja partive kryesore opozitare të qendrës. Por kriza aktuale në kufi, po i shërben maxhorancës për ta larguar vëmendjen nga çështja e abortit, në një kohë që po forcon mbështetjen tek votuesit e saj kryesorë, që janë kundër çdo rritje të emigracionit.
Ndërkohë ajo i jep qeverisë një mjet të volitshëm, me të cilën mund ta godasë opozitën. Përpjekjet e Varshavës për të mbrojtur kufirin e saj, kanë marrë gjithashtu mbështetjen e fortë të vendeve dhe institucioneve, që normalisht janë në konflikt me qeverinë polake, për shkak të perceptimeve se vendi po rrëshqet nga demokracia dhe sundimi i ligjit, duke filluar nga Holanda në Gjermani dhe Komisioni Evropian.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, bisedoi të hënën me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki për t’i shprehur solidaritetin e saj. Media e kontrolluar nga shteti në Poloni – që është bërë në thelb zëdhënëse e PiS – ka marrë drejtimin e një fushate të egër sulmesh ndaj opozitës.
Kanali i lajmeve i televizionit shtetëror, TVP Info, transmetoi të dielën në mbrëmje një reportazh me titull:“Opozita po mbështet emigrantët dhe Lukashenkon”. Të hënën, ai shtoi:”Kjo luftë hibride kundër Polonisë, po mbështetet nga disa politikanë nga opozita polake dhe mbështetësit e tyre mediatikë”.
Edhe politikanët e PiS dhe aleatët e tyre, nisën sulmet e tyre kundër rivalëve politikë.
“Uluni në gjunjë!!!”-shkroi në Twitter Krystyna Pawłowicz, një gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, një nga gjykatat më të larta të vendit, duke kërkuar nga opozita të kërkojë ndjesë për skepticizmin e saj në të shkuarën ndaj politikave të qeverisë.
“Kërkojuni ndjesë polakëve për një sulm të unifikuar së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin dhe Lukashenkon në kufijtë lindor të republikës polake … Në gjunjë tradhtarë!”- shtoi ai. Edhe pse Pawłowicz është një nga mbështetëset më të zjarrta të qeverisë, ajo është pjesë e një fronti më të gjerë, e cila po e shfrytëzon situatën kufitare për të sulmuar opozitën. Problemi për partitë opozitare, është se ato nuk kanë gjetur ende një mënyrë se çfarë qëndrimi të mbajnë lidhur me situatën në kufi. Qasja e ashpër e qeverisë për sigurimin e kufirit është shumë popullore, por shumë votues të opozitës kanë shqetësime mbi aspektet e saj humanitare.
Disa politikanë të krahut të majtë, kanë bërë thirrje që emigrantët ilegalë të pranohen në Poloni, dhe që atyre t’u jepet statusi i azilantit, ndërsa të tjerët kanë qenë më të kujdesshëm, por ende të ndrojtur për të mbështetur politikën e ashpër kufitare të PiS.
Të prekur nga gjendja e rënduar humanitare e njerëzve të bllokuar në zonën kufitare, ku janë të privuar nga strehimi, ushqimi dhe ngrohtësia në kushte gjithnjë e më të ftohta, disa deputetë të opozitës kanë bërë thirrje për një politikë më bujare.
Madje disa prej tyre shkuan në zonën e mbyllur kufitare – një zonë 3 kilometra e gjerë që kalon përgjatë kufirit polako-bjellorusi – në përpjekje për t’i ndihmuar emigrantët. Ndërkaq Donald Tusk, kreu i partisë opozitare Platforma Qytetare, ka qenë më i kujdesshëm në qasjen e tij.
Ai e ka kritikuar qeverinë polake sa i përket mënyrën se si ajo ka zbatuar politikat e saj kufitare, por ka këmbëngulur se ajo është korrekte në përpjekjen për të ndaluar hyrjen e mijëra emigrantëve të paligjshëm.
“Kufijtë e Polonisë duhet të vulosen dhe të mbrohen mirë!”- deklaroi ai në gusht kur filloi kriza. Por po atë muaj, Tusk tha gjithashtu:”Këta janë njerëz të varfër, që kërkojnë një jetë më të mirë”, e cila është bërë virale në internet, dhe po promovohet aktualisht nga mediat shtetërore.
Të hënën, Tusk iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Moraëiecki me këshillën:”Emigrantët nuk janë një ari juaj politik”. Zëvendësministri i Brendshëm Paweł Szefernaker iu kundërpërgjigj Tusk-ut me një fjalë:“I paskrupullt!”.
“Ne duhet të falënderojmë opozitën për sulmin masiv të kufirit nga emigrantët, pasi ishin ata që kërkuan pritjen e emigrantëve dhe që pështynin mbi rojet kufitare dhe ushtrinë polake”- shkroi në Twitter Adam Andruszkiewicz, një deputet i PiS.
Kjo e vendos opozitën në një pozitë shumë të vështirë. Ose ajo duhet të heqë dorë nga kritikat ndaj partisë në pushtet dhe të mbështesë lavdërimet e qeverisë ndaj ushtrisë për përpjekjet e saj për të mbrojtur kufirin, ose të rrezikojë të akuzohet për tradhti dhe të humbë mbështetjen e votuesve të shqetësuar nga flukset e pakontrolluara të emigrantëve./ Nga Jan Cienski