Mbledhja e dy qeverive dje në Elbasan u shoqërua me firmosjen e 13 marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e ngritur bashkëpunimin dhe afrimin mes vendeve tona në një tjetër nivel.
Ministrat e dy qeverive kanë firmosur marrëveshjet sipas dikasterit që drejtojnë duke i rrugë bashkëpunimit midis tyre.
Dy ministrat e Infrastrukturës, ajo e Shqipërisë Belinda Balluku dhe ai i Kosovës, Liburn Aliu e cilësuan ndërtimin e saj një nxitjeje të ekonomisë për të dy vendet dhe akses më të madh të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Të alokojmë fondet për këtë studim fizibilieti për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Hekurudhat janë mënyra e transportit më efeciente dhe më miqësore ndaj ambientit. Kjo hekurudhë do të nxis dhe rrisë volumin e tregtisë mes dy vendeve tona. Porto Romano do jetë një nga portet më të mëdha dhe modern, ku Kosova është vendi që Shqipëria ka pasur rritje të eksportit të mallrave me 48.2%. Porti ekzistues kthehet në një nga marinat më të mëdha në Mesdhe, ku do të jetë edhe një portë turizmi për të shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Hekurudha do të lidhe edhe portin e ri të Durrësit me Prishtinën duke i dhënë akses të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Balluku.
Për ministrin Liburn Aliu, “kjo hekurudhë është shumë i favorshëm krahasuar me linjat e tjera duhet të shtohen edhe element që lidhin koridorin blu dhe i gjithë ky qarkullimi i mallrave do të bëhet nga Shqipëria në Kosovë dhe më pas me vendet rreth e qark, kjo ka rëndësi”.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e kontributeve dhe sigurimeve shoqërore është një hap përpara në bashkëpunim.
“Vitet e fundit numri i të punësuarve është rritur, si nga ana e shtetasve të Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, si shtetasit kosovarë që punojnë në Shqipëri. Kjo marrëveshje që nënshkruajmë sot pikërisht lehtëson akoma më tej procedurat e tyre, njeh periUdhat e sigurimit të tyre me qëllim që qytetarët të përfitojnë nga përfitimet e barrë lindjeve, nga përfitimet në rast të aksidenteve në punë si dhe për pensionet e pleqërisë, invaliditetit, apo ato familjare në të dyja vendet. Kemi marrë hapa shumë të mirë që nga hera e fundit që jemi takuar, për uljen e numrit të skanimeve dhe besoj se takimi që kemi me biznesin sot do të vlerësohen nismat e ndërmarra”, tha Ibrahimaj.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore si mjaft të dobishme për brezat e rij. Kushi tha se do punohet edhe për abetaren unike të përbashkët.
“Duke respektuar legjislacionin dhe kornizën e kualifikimeve, parimet dhe konventat ndërkombëtare, duke u nisur nga interesi i përbashkët kemi vendosur të lehtësojmë procedurat dhe të shkurtojmë afatet për njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, duke shmangur burokracitë ekzistuese. Shpresoj shumë që ne të punojmë edhe për abetaren unike të përbashkët. Unë i vlerësoj të gjitha iniciativat e deritanishme për kurrikulën e përbashkët dhe tekste të tjera, por besoj që një abetare e re unike, besoj do jetë në dobi të gjithë nxënësve. Jam e lumtur që iniciativa e Kryeministrit ka gjetur mbështetje“, tha ministrja Kushi.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje për shërbimet gjyqësore për qytetarët e të dyja vendeve.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit tonë në fushën civile dhe përfitues do jenë qytetarët e dy vendeve tona që do kenë qasje të drejtpërdrejtë në institucionet gjyqësore për të marrë shërbime. Përfitues do jenë bizneset respektive në dy vendet tona. Risi është qasja unike në gjykata respektive dhe ndihma juridike që do përfitojnë qytetarët dhe bizneset falas”, tha Manja.
Njohje e ndërsjellë e certifikatave veterinare
Gjatë takimit të përbashkët të përfaqësuesve të bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli mbi marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare dhe fitosanitare.
“Më në fund njohja e ndërsjellë e certifikatave veterinare dhe fito-sanitare. Mirë problemi që kemi me BE-në që nuk na i integron delet tona, por që ne të mos integrojmë delet e njëri-tjetrit? Dhe për të çuar delet nga Shqipëria në Kosovë, apo Kosova në Shqipëri të kemi të njëjtin problem, siç kemi për të çuar në BE, kjo është pak si e tepër. Natyrisht është edhe një burim humori me Albinin. Por është një humor nga e keqja, por tani e kemi hequr nga rruga. Me njohjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare, të gjitha produktet shtazore do të jenë me regjim të liberalizuar. Nëse e merr në Kosovë certifikatën, ajo do të jetë e vlefshme edhe në Shqipëri”, tha Rama.
MBLEDHJET
Mbledhja e përbashkët e dy qeverive e zhvilluar në Elbasan është e shtata mes dy vendeve që nga 2014, kur Edi Rama erdhi në pushtet.
Mbledhja e parë u zhvillua në janar 2014 në Prizren, dhe te të gjitha qeveria e Shqipërisë është përfaqësuar nga Edi Rama.
Për Albin Kurtin kjo ishte mbledhja e parë e përbashkët, ndërkohë që paraardhësit e tij që kanë firmosur marrëveshjet kanë qenë Thaçi, Mustafa, Haradinaj e Hoti.