Momentet e fundit të 8-vjeçarit Mateo Vasiu, i cili u vra në mënyrë makabre në fshatin Grecalli të Fierit nga një 38-vjeçar me precedentë penalë, janë ato të kapura nga kamerat e sigurisë së një ndërtese pranë banesës së viktimës.
Në pamje, djali 8-vjeçar shihet duke udhëtuar me biçikletë ndërsa mban të veshur një xhup me ngjyrë të kuqe. Drejtimi që kishte marrë nxënësi i klasës së dytë ishte për në banesën e tij dhe të autorit të ngjarjes, të cilat kanë një distancë të shkurtër midis tyre. Pas këtij momenti, djali humbi gjurmët dhe pas disa orësh nëna e tij denoncoi në Polici zhdukjen e të birit. Më pas, forcat e rendit kanë mbikëqyrur pamjet dhe kanë kuptuar drejtimin që kishte marrë fëmija që do të pësonte më pas fatin tragjik.
ZHDUKJA E PAPRITUR
Mateo Vasiu ka shkuar mëngjesin e së martës si zakonisht në shkollë për t’u kthyer më pas në drekë. Në mëngjes e ëma ka zhvilluar takimin e fundit me të dhe më pas janë ndarë. Por, gjatë drekës, djali pasi është rikthyer në banesë, ka qarkulluar në lagjen e tij si zakonisht.
Gjatë këtyre orëve mësohet se 38-vjeçari Klodian Çalamani e ka çuar atë për të blerë bukë me biçikletën e tij. Pas këtij çasti nuk dihet se çfarë ka ndodhur më pas, pasi mungojnë dëshmitarët dhe dëshmia e vetme është ajo e autorit të krimit të rëndë. Rreth orës 15:30 minuta, nëna e djalit, Florinda Vasiu, pas kërkimeve në rrugët e fshatit, ka denoncuar humbjen e fëmijës në Policinë lokale.
“Rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V. se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013”, sqaronte Policia.
Më pas forcat e rendit janë vënë në lëvizje duke zhvilluar kërkime intensive në zonë dhe pas këqyrjes së kamerave të sigurisë të një banese aty pranë dhe duke ditur që Klodian Çalamani ishte një person problematik në zonë, kanë zhvilluar kërkime në banesën e këtij të fundit, duke zbuluar edhe makabritetin që kishte ndodhur.
“Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim e provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur. Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë. Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj”, sqaroi Policia lokale.
DENONCIMI
Nëna e djalit 8-vjeçar ka denoncuar dy herë rastin në Policinë lokale, njëherë nëpërmjet telefonit dhe pas rreth një ore ka shkuar vetë fizikisht në komisariat. Ajo ka deklaruar se djali kishte dalë në orën 08:00 të mëngjesit nga shtëpia për në shkollë dhe më pas nuk ishte kthyer më.
Sipas Policisë, rreth orës 14:40 të ditës së djeshme, ata morën një telefonatë nga nëna e identifikuar si F. V., se djali i saj i mitur kishte dalë që në orën 08:00 nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Rreth 40 minuta më vonë, ajo është paraqitur në komisariat.
ZBULIMI I KRIMIT
Ndërsa familjarët bënin kërkime në fshat, Klodian Çalamani i ka pyetur ata nëse e kishin gjetur djalin, në përpjekje për të fshehur krimin e rëndë. Pasi kanë mbikëqyrur kamerat e sigurisë, forcat e Policisë kanë konstatuar edhe hyrjen e fëmijës në banesën e 38-vjeçarit. Një fakt shtesë ka qenë biçikleta, për të cilën janë pyetur banorët se kujt i përket.
Pasi kanë shkuar në banesën e Klodian Çalamanit, forcat e rendit e kanë gjetur atë duke konsumuar raki. Fillimisht, ai ka shprehur habi, duke thënë:
“Pse çfarë ka ndodhur me Mateon?!”.
Në fillim autori ka mohuar të ketë dijeni, por pas pak minutash, kur policia i ka deklaruar se fëmija ka hyrë në oborrin e banesës së tij dhe pasi kanë konstatuar dheun e gërmuar në oborr, 38-vjeçari ka deklaruar se e kishte bërë ai krimin.
“E vrava, ja aty e keni, e mbulova me dhe”, ka thënë ai.
Më pas për hetuesit ai ka thënë se fëmija e kishte sharë.
“Unë e vrava se ai më shau. E godita me lopatë në kokë. Nuk jam penduar. Ai më kishte sharë edhe herë tjetër”, ka thënë 38-vjeçari.