Përveçse largim nga detyra, ndaj policit që një ditë më parë shtyu gazetaren Anila Hoxha drejt greminës në Dajt, ka nisur edhe ndjekje penaele.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shkruan në rrjetet sociale se drejtori i policisë Gledis Nano si dhe ai i SHÇBA kanë pasur një komunikim me gazetaren, ndërsa i kërkon ndjesë kësaj të fundit për incidentin e një dite më parë.
Çuçi u bën thirrje qytetarëve që në rast se ndeshin me raste të tilla, t’i denoncojnë duke paralajmëruar zero tolerancë për këto shfaqje të shëmtuara. Ai u bën thirrje efektivëve të mos e lejojnë veten të bien në këtë nivel që i përjashton automatikisht nga policia.
“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, shkruan ai.