MENU
klinika

"Nuk ka qëndrueshmëri, duhet kohë për konsultim publik"

Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër Paketës Fiskale

11.11.2021 - 12:01

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë shtyrjen e afatit të konsultimeve për ndryshimet në paketën fiskale 2022.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi dhe Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, Presidenti Enio Jaço shpreh zhgënjimin e Dhomës për shkeljet e përsëritura, flagrante ligjore në procesin e konsultimit publik si dhe ndërhyrjet e shpeshta në paketën fiskale kur Qeveria është zotuar publikisht për mos ndryshime frekuente të saj.

Jaço nënvizon rëndësinë e një ligji të ri për tatimet si kërkesë e komunitetit ndërkombëtar të biznesit.

“Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit.

Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë.

Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit”.

Jaço ka shprehur kritika edhe në deklarata të mëparshme se, legjislacioni aktual i tatimeve është i prapambetur. Ai ka kërkuar modernizimin e tij dhe jo më arnime frekuente që nxisin pabesueshmëri dhe reagime shqetësuese në komunitetin e biznesit.

Ndër të tjera, në qendrimin e Dhomës Amerikane për paketën fiskale thuhet:

“Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjit si më poshtë:

Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qendrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet.

Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar.

Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike.

Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik.

Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit.

Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projekt-ligjin/et e propozuar.

Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjit, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij”.