Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës Milorad Dodik në një intervistë për BBC-në ka thënë se dëshiron të formojë ushtrinë e Republikës Serbe, pasi një gjë të tillë i lejohet sipas Marrëveshjes së Dejtonit.
“Kjo është e drejta jonë Kushtetuese, nuk është shfuqizuar më parë. Ne ramë dakord vetëm për një mënyrë tjetër të organizimit të forcave ushtarake në BeH. Tani do ta tërheqim atë pëlqim”, tha Dodik.
Ai e mohoi sërish gjenocidin në Srebrenicë, duke thënë se ishte kryer një “krim i madh”.
“Nuk ka dyshim se një krim është kryer në Srebrenicë. Por kjo është punë e individëve, jo e ushtrisë në tërësi. Sido që të jetë, njerëzit kanë frikë të ndryshme. Serbët kanë frikë se e gjithë zona do të dominohet nga myslimanët dhe kanë frikë nga mërgimtarët që po vijnë. Këto janë edhe gjërat frika që ekzistojnë këtu”, u shpreh Dodik, transmeton Telegrafi.
Dodik muajin e kaluar kishte deklaruar se do të detyrojë Forcat e Armatosura të tërhiqen nga territori i Republikës Serbe, duke pushtuar kazermat, por tash konsideron se bllokimi i kazermave është i panevojshëm.
“Nuk ka ushtri të BeH në territorin e Republikës Serbe, por Forca të Armatosura në të cilat shumica janë serbë. Nuk ka nevojë të bllokohen kazermat, kur 90 për qind e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të BeH në Republikën Serbe janë serbë. Gjithashtu dua të theksoj se besoj në kapacitetin e EUFOR-it dhe se mandati i tyre është zgjatur me vendim të OKB-së”, tha Dodik.
Për më tepër, Dodik thotë se nuk e duan Bosnjën siç është ajo aktualisht.
“Jo, ne nuk e duam BeH siç është tani. Doli se BeH, siç është e organizuar aktualisht, është dekadente me reforma false dhe probleme të tjera dhe si e tillë nuk mund të mbijetojë. Ajo që unë dua në emër të njerëzve që më zgjodhën është të mbroj marrëveshjen e Dejtonit dhe të zbatoj vetëm atë që është shkruar atje”, tha Dodik.
Ndryshe, përfaqësuesi kryesor i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje ka paralajmëruar se vendi është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ekziston një perspektivë “shumë reale” e një rikthimi në konflikt.
Christian Schmidt tha në fillim të kësaj jave se nëse separatistët serbë zbatojnë kërcënimin e tyre për të rikrijuar ushtrinë e tyre, duke ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh, më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë duhet të dërgohen përsëri, për të ndaluar rrëshqitjen drejt një lufte të re.
Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, po kërcënon të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë ushtrinë kombëtare të ndërtuar me ndihmën ndërkombëtare gjatë çerek shekullit të kaluar, dhe të rindërtojë një forcë serbe.
Më 14 tetor, Dodik tha se do të detyronte ushtrinë boshnjake të tërhiqej nga Republika Serbe duke rrethuar kazermat e saj dhe se nëse perëndimi do të përpiqej të ndërhynte ushtarakisht, ai tha se kishte “miq” që kishin premtuar të mbështesin kauzën serbe, një referencë e supozuar për Serbinë dhe Rusinë./Express