Sulmi me breshëri të forta nga kundërshtarët e Lulzim Bashës për deklaratën e fortë të tij për “fshehjen e Berishës” nga ai në zgjedhjet lokale të vitit 2011, po bëhet me argumentet e socialistëve që u përdorën fiks 10 vjet më parë.
I thonë se u favorizua prej të ndjerit Hysni Milloshi, nga Ilir Meta, e nga Arben Ristani, i cili në krye të KQZ-së përmbysi tavolinën dhe rrëzoi rezultatin e dalë nga numërimi i kutive të Qendrave të Votimit për kryetarin e Bashkisë, në të 11 Njësitë bashkiake të kryeqytetit.
Në fakt, të gjitha këto argumente, që i përmendin sot Lulzim Bashës qëndrojnë, por “pendimi” i vonë i militantëve të “Foltores”, e zbeh fuqinë e sinqeritetin e përdorimit të kësaj arme në luftën politike me kreun e Partisë Demokratike.
Sa për kronikë: në zgjedhjet e 8 majit 2011, në fund të numërimit dramatic ngrij e shkrij: Edi Rama mori 124 597 vota, ndërsa Lulzim Basha:124 587 vota.
Përveç LSI-së, e cila ishte në koalicion me PD-në që nga viti 2009 dhe kishte marrë 35% të pushtetit ekzekutiv në qendër e rrethe, edhe kandidati i Partisë Komuniste mori mbi 1 mijë vota, të cilët, duke qenë të majta natyrisht që favorizuan Lulzim Bashën.
Por të kthehemi tek ajo që tha kreu i PD-së në intervistën me Robert Rakipllarit në lidhje me fshehjen e Sali Berishës.
I cili në zgjedhjet e majit 2011 ishte kryeministër, e vinte pak kohë pas ngjarjes së 21 janarit të atij viti ku Garda vrau 4 qytetarë në protestën e opozitës përballë Kryeministrisë.
Mbështetja publike e Sali Berishës, ishte përtokë, sidomos tek elektorati gri. LSI-ja e shfrytëzoi me shkathtësi momentin e dobët të kryeministrit, i cili e kishte mbrojtur fuqishëm në kohën e videos me Dritan Priftin, e mori edhe më shumë tortë pushteti, me të cilën shtoi punësime masive në kryeqytet, sidomos të atyre që konsideroheshin si votues të majtë, “të moderuar”.
Ndërkaq, Lulzim Basha arriti të marrë rreth vetes një lob të madh mediatik dhe biznesi, ku afroi thuajse të gjithë ndërtuesit e kryeqytetit, duke nxjerrë në treg Planin e ri Urbanistik, çka konsiderohej si një karrem për të shpërndarë leje ndërtimi “me kuintalë”.
PD e Lulzim Basha, pajtuan një kompani mjaft të njohur lobimi në SHBA në atë kohë, “Podesta Group”, e cila ishte nën pronësinë e vëllezërve John e Tony Podesta, ku i pari ishte një zyrtar mjaft i afërt me administratën demokrate, e në veçanti me çiftin Clinton.
Hillary në atë kohë ishte Sekretare Shteti, e Barack Obama-President.
Podesta mori përsipër zbutjen e imazhit të rëndë të 21 janarit 2011 dhe bllokimin e një vale sulmi ndaj Sali Berishës në VVashington.
Ndërkaq, përveç lobimit, Podesta Group, mori në dorë të gjithë drejtimine fushatës së Lulzim Bashës; nga sllogani, tek mënyra e bërjes së fushatës, si dhe çdo detaj të axhendës, e në veçanti strategjisë së saj.
Pikërisht fushata e Podesta-s futi atëherë fushatën mediatike me “një regji qendrore” që tashmë është bërë ligj i pashkruar në vend, ku nuk shkojnë mediat të ndjekin fushatën, por ka vetëm lidhje nga regjia që kontrollon kompania që merret me marketingun.
E pikërisht, për mbi dy muaj, Sali Berisha u mbajt larg nga çdo takim në fushata elektorale në kryeqytet. Kryeministri i vendit dhe njëkohësisht lideri i mazhorancës së atëhershme, nuk mori pjesë në asnjë miting, në asnjë “tovvn hall”, e në asnjë ziafet mondan që u bënte me vipa e grupe interesi.
Kjo u bë edhe objekt i mjaft shkrimeve të ndryshme nga mjaft gazetarë e kolumnistë në mediat shqiptare të kohës.
Ndërkohë, nga Partia Demokratike, e sidomos nga panelistët që në atë kohë ishin mbështetësit e Bashës,(sot i ka kundër), u tha se mungesa e Berishës është një mesazh që tregon se Lulzim Basha nuk do ta politizojë fushatën e Tiranës, ngaqë kërkon vota për kryeqytetin e jo për qeverinë. Domethënë, gjëra të tilla, që ishin natyrisht mënyra të ndryshme për të justifikuar fshehjen e Sali Berishës, të cilën Podesta e vuri kusht, duke ju thënë krerëve të PD-së, se ndryshe nuk e ulni diferencën e madhe që keni me Edi Ramën në Tiranë, sidomos në atë që cilësohet “elektorati gri”.
E natyrisht që Podesta fliste prej sondazheve që i kryente në mënyrë permanente, e që në atë kohë u hodhën miliona e miliona euro për këtë fushatë.
Kjo është e vërteta, e këtu duhet thënë se Lulzim Basha ka mjaft të drejtë, edhe pse argumentet që Berisha është gogol për nejrëzit nuk i tha asnjëherë vetë, por i nxorrën studimet në territor të Podesta Grooup, e cila ka kryer operacionin më të madh të imazhit që një firmë ndërkombëtare ka realizuar në Shqipëri. E natyrisht ka marrë shumën më të madhe të parave në 30 vjet politikë shqiptare.
E duhet thënë që një pjesë e rëndësishme e elektoratit gri të kryeqytetit, besuan vërtetë se fshehja e Berishës është një paradhomë e pensionimit të tij politik. Ku ta dinin ata që, ajo ishte një fshehje taktike, për të cilën foli për herë të parë njeriu që e përdori atë…