MENU
klinika

Analiza

Evropa të luftojë ndaj Lukashenkos, jo refugjatëve

11.11.2021 - 16:51

Nga Leonid Bershidsky “Bloomberg

Kriza artificiale e refugjatëve në kufirin Bjellorusi-Poloni, ka marrë ditët e fundit një kthesë të shëmtuar. Rrjetet sociale dhe faqet e internetit të mediave, janë mbushur me videot e trupave polake që zmbrapsin me dhunë refugjatët e Lindjes së Mesme, të cilët po përpiqen të kalojnë telat me gjemba, pasi mijëra prej tyre marshuan drejt Polonisë të shoqëruar nga ushtarë bjellorusë.

Përshkallëzimi është i ri, por kjo situatë vazhdon prej muajsh. Gjithçka ka qenë e paligjshme:kthimet mbrapsht të njerëzve që kanë të drejtë të kërkojnë azil sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si nga forcat polake të sigurisë, ashtu edhe “agjencitë bjelloruse të udhëtimit”, të inkurajuara nga regjimi i presidentit Alexander Lukashenko.

“Centrkurort”, kompania shtetërore bjelloruse e udhëtimeve, cilësohet si një nga lehtësuesit e kalimit të refugjatëve drejt Polonisë. Mbështetja gati zyrtare e Rusisë për trafikimin e qenieve njerëzore, është një tjetër sfidë e hapur ndaj ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare. Moska lejon jo vetëm udhëtimet me avion të refugjatëve në Minsk mbi territorin e saj, por Kremlini po e këshillon Lukashenkon për lëvizjet e tij në lidhje me këtë situatë. Diktatori bjellorus diskutoi të martën mbi këtë çështje me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Sot në Evropë po flitet shumë për “qëndrimin në krah të Poloninë”, për t’i rezistuar përdorimit të njerëzve në nevojë si armë nga ana e autoriteteve bjelloruse. Mesazhi i Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Tëitter, ku kërcënonte me vendosjen e sanksione më të ashpra ndaj Bjellorusisë, dhe ndaj linjave ajrore të vendeve të treta që transportojnë refugjatët në Minsk, u botua edhe në gjuhën polake.

Por kjo Poloni është ajo e drejtuar nga qeveria nacionaliste, që kohët e fundit i shpalli ligjet e saj si superiore ndaj atyre të Bashkimit Evropian, duke kërcënuar vetë ekzistencën e BE-së; që  ka refuzuar të pranojë refugjatët nga Lindja e Mesme, në një kohë që i mirëpret ukrainasit “të afërt kulturalisht” për të lehtësuar tensionin e tregut të saj të punës.

Kur bëhet fjalë për vlerat, BE-ja nuk mund të mbajë anën e kësaj Polonie. E vetmja bazë e përbashkët është frika nga një krizë e madhe refugjatësh si ajo e vitit 2015, që është në fakt makthi i çdo politikani evropian. Le të jemi të qartë mbi një gjë:nuk janë refugjatët në vetvete, ata që po përdoren si një armë nga Lukashenko.

Ata e dinë se me çfarë do të përballen qëkur blejnë biletat për në Minsk. Në këto kushte, ata do të pranojnë çdo lloj ndihme, madje edhe atë të Lukashenkos. Ata po angazhohen në një bast të dëshpëruar, që në fakt për disa po jep frytet e veta:kërkesat për azil në Gjermani janë rritur ndjeshëm në shtator dhe tetor.

Ajo që po instrumentalizohet, është frika nga emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme. Dhe kjo frikë justifikohet pjesërisht nga dështimi i Evropës për t’i integruar emigrantët e ardhur në Evropë në vitin 2015. Rreth 2/3 e sirianëve dhe 44 për qind e afganëve që jetojnë në Gjermani, marrin përfitime afatgjata të papunësisë.

Dhe për këtë është e vështirë që t’i bësh ata me faj:Fakti që kuota e përfituesve të ndihmës sociale është kaq e lartë, në një vend me një mungesë shumë të madhe të çdo lloji punëtorësh krahu, nuk mund të jetë tërësisht për shkak të paaftësisë së emigrantëve për t’u përshtatur.

Gjithsesi, është e pamohueshme që sistemet evropiane të arsimit dhe tregjet e punës, ishin dhe janë të papërgatitura për emigracionin masiv. Por në pjesën më të madhe, kjo frikë është e paarsyeshme. Gjermania, pritësja më e madh e emigrantëve në vitin 2015, e mbylli mirë bilancin buxhetor.

Dhe ndërsa pati një rritje të krimit, kjo ndoshta e pashmangshme duke pasur parasysh fluksin e meshkujve të rinj e të varfër, niveli i përgjithshëm i kriminalitetit është ende dukshëm më i ulët  sesa në vitin 2005. Përveç kësaj, as Lukashenko nuk do ta hapte me dëshirë vendin e tij të vogël e të varfër ndaj një vërshimi refugjatësh të stilit të vitit 2015.

Nga pikëpamja humanitare dhe financiare, Evropa dhe në veçanti Gjermania, mund t’i marrin të gjithë këta njerëz nga kufiri polak. Por politikanët e saj thjesht nuk duan, pasi kanë kujtime të këqija që 6 vite më parë. Ata nuk duan të shihen si të butë përballë Lukashenkos, dhe janë haptazi ose në heshtje anti-myslimanë.

Por instinkti për të vendosur tela me gjemba, për të dërguar trupa dhe për të intensifikuar kundërpërgjigjet në kufi është i pafrytshëm, sepse këto “zgjidhje” janë të paqëndrueshme. Me 86 për qind të 26.4 milionë refugjatëve të botës që jetojnë në vendet në zhvillim, dhe vetëm 27 për qind në ato më pak të zhvilluara sipas Kombeve të Bashkuara, Evropa nuk mund të qëndrojë gjithmonë kundër këtij fluksi njerëzish të dëshpëruar, pa u shndërruar në një fortesë të pathyeshme.

Pastaj ekziston edhe një çështje morale. Duke komentuar krizën kufitare Bjellorusi-Poloni, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se Polonia duhet të pranojë disa mijëra “irakianë” si një dëmshpërblim për pjesëmarrjen e ushtarëve të saj në operacionet e udhëhequra nga SHBA në Irak.

Por kjo është një tallje e madhe. Pasi vetë Rusia nuk i priti krahëhapur sirianët që u larguan nga qytetet dhe fshatrat e rrafshuara nga bombardimet ruse. Por ashtu si Rusia apo Turqia, vendet evropiane që kanë marrë pjesë në luftërat e SHBA-së në Lindjen e Mesme, ndajnë një përgjegjësi morale ndaj viktimave të luftërave.

Për njerëzit e dëbuar nga shtëpitë e tyre, nuk ka shumë rëndësi nëse një vend luftoi në anën e duhur apo të gabuar. Ajo që ka rëndësi është mjerimi i menjëhershëm dhe i padurueshëm. Meqë jemi tek Turqia:Ndonëse është akuzuar për instrumentalizim të të emigrantëve, dhe presidenti i saj Erdogan i ka përdorur ata si mjet pazaresh miliarda euroshe në mbështetje financiare të BE-së, ajo po bën në përgjithësi atë që mundet.

Me një kosto ekonomike që është më e madhe sesa e Gjermanisë, ajo po strehon popullatën më të madhe të refugjatëve në botë, 3.7 milionë. Evropa duhet që ta luftojë regjimin e Lukashenkos, i cili është po aq i paligjshëm dhe mizor sa çdo tirani shumë më larg nga kufijtë e BE-së.

Por sanksionet aktuale të BE-së kundër saj janë relativisht të buta, duke shënjestruar kryesisht aparatin represiv të Lukashenkos. Nëse qëllimi është t’i bëhet presion diktatorit, ka shumë hapësirë ​​për ashpërsimin e sanksioneve, dhe duke ndihmuar ende njerëzit në nevojë ekstreme, jo vetëm banorët e Lindjes së Mesme, por edhe bjellorusët që largohen nga regjimi.

Ka ardhur koha që jo vetëm që Evropa, por e gjithë bota perëndimore të fillojë të punojë për zgjidhje të qëndrueshme për krizën e refugjatëve, e cila do të përfshinte domosdoshmërisht politika më bujare të imigracionit – të shoqëruara me rregullime në sistemet arsimore dhe në tregun e punës, si dhe rritje sistematike të investimeve në vendet fqinje me zonat e fatkeqësive në botë. /