MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Faktet që jep Berisha: Foltorja, asnjë lidhje me fatin e PD-së!

08.11.2021 - 12:30

Çdo seancë të Foltores së Sali Berishës, që prej fillimit të saj, po furnizojnë gjithnjë e më shumë me fakte, e shprehin shumë qartë qëllimin e saj politik e faktik.

Kjo lëvizje që nisi Berisha, që prej largimit nga grupi parlamentar i PD-së, edhe pse realisht nisi për arsyet e tij personale, mund të shërbente si një forum idesh, një tryezë analizash, apo Agorë debati për zhvillimet politike në PD, por edhe në politikën shqiptare e shoqëri.

Berisha, si njeri që ka fuqinë për të ndikuar politikisht në krahun e tij politik, drejtimin e të cilit e ka mbajtur de fakto deri në fillim të shtatorit, mund të thërriste mjaft emra të larguar nga PD, të mënjanuar, e të paafruar nga politika.

Mund të shërbente si një hapësirë diskutimi, apo edhe për të dhënë mundësi për një rrymë apo shprehje e dalje fraksionesh të ndryshme në PD dhe nga e djathta.

Por, deri më sot kur u mbushën dy muaj nga Foltorja e parë, kemi parë që të vetmit njerëz që shprehen, janë përrenjtë psiqikë të problematikëve të mllefosur, apo tifozë të “sëmurë” të doktorit, që gjithsesi do t’i qëndrojnë gjatë besnikë, për arsye që arrijnë të kuptohen, apo të tjera që s’i kap as fantazia ë e shfrenuar njerëzore.

E gjitha kjo nuk ka ndodhur, pasi Foltorja nuk u ngrit si një Agorë debati, apo forum që të shtyjë përpara zhvillimet politike në PD dhe në opozitën e vendit.

Foltorja ishte që në ditën e parë, një “artileri e rëndë” për të goditur me gjylet e saj periodike, muret e godinës që prej vendimit të përjashtimit, drejtohet nga Lulzim Basha.

Një artileri që ka vetëm një synim, për ta rrëzuar, ose së paku, për ta çfaktorizuar sa më shumë kreun e PD-së, i cili është faktorizuar shumë nga aleatët perëndimorë të vendit veçanërisht SHBA e BE, për tu rikthyer në sistemin politik, pas daljes fatale të vitit 2019.

Foltorja nuk ka as gjasa, e as nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund ta rinovojë PD-në.

Kjo, pasi nuk ka hedhur asnjë ide, program apo platformë, a kalendar pune për ta shtyrë përpara PD-në, strukturat dhe grupet e interesin që përbëjnë opozitën.

Edhe pse u fsheh si një betejë për respektimin e statutit, Foltorja, apo më mirë të thuash Berisha, i është referuar vetem pretendimit për shkelje statuti mbi përjashtimin e tij.

Ndërkaq, intensifikimi i djeshëm i bombardimeve të Foltores drejt godinës së PD-së, për çështjen e FRPD-së apo Forumit të Gruas, është gjithashtu një problem personal i atyre që janë prekur nga vendimi i Lulzim Bashës për të rinovuar këto struktura brenda PD-së.

Nëse do të ishte thjesht një ide e ndryshme për rinovimin e strukturave, si Belind Këlliçi, apo edhe Albana Vokshi, apo të tjerë, mund t’i ngrenë mendimet e qëndrimet e tyre në kryesinë apo forumet e tjera të PD-së, e të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

Por duket se nuk është ky qëllimi i atyre që tek Berisha kanë gjetur mbështetjen politike, pasi nuk ka logjikë, që të gjithë këto kontestime, apo probleme mund t’i kishin ngritur në Kuvendin e muajit korrik.

Ai ishte realisht forumi, ku si Belind Këlliçi apo edhe Albana Vokshi, të kishin ngritur çështjen e skadimit të mandatit të tyre, e të diskutonin për mënyrën e kohën e zgjedhjeve të reja të brendshme.

Por, as nuk folën në tribunën e Kuvendit, ngaqë Lulzim Basha nuk ishte problem për asnjërin deri në shtator, përkundrazi përfaqësonte një aleat i ngushtë.

Sidomos për vetë Berishën, i cili të gjitha problemet e Partisë Demokratike që i ka ngritur si defekte, as nuk i çonte ndërmjet t’i bënte publike përpara shtatorit.

Përkundrazi, ka lavdëruar e çuar në qiell Lulzim Bashën, kur i është kërkuar opinion për lidershipin e tij.

Lidershipi i Bashës, natyrisht që është problematik, e ka vrima gjithandej, sepse përndryshe do të ishte fitues, por alternativa për këto defekte, nuk mund të jetë Sali Berisha, ngaqë ai thjesht nuk mendon një konfigurim të ndryshëm apo të ri për Partinë Demokratike.

Kërkon thjesht të kthehet në krye të partisë për ta pasur si “fortino” për tu mbrojtur nga artileria më e sofistikuar edhe më efikase që vjen përtej oqeanit -nga SHBA.

E cila ka rezultuar që me një goditje arrin rezultat. Jo si gjylet antike të doktorit…