MENU
klinika

Nga Mero Baze

Foltorja për kokën e Zenit

02.11.2021 - 22:23

Foltorja e sotme e Sali Berishës në Kamëz pati dy fronte sulmi. E para ndaj SHBA, që sipas Berishës po shantazhon mbështetësit e foltores duke i kërcënuar se nuk do t’u japë viza amerikane, dhe e dyta ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Elvis Pupo, të cilët i përmendi të tre me emra, pasi kanë në dorë rekursin që Fatmir Mediu ka bërë në Gjykatë të Lartë, për të mos filluar hetimi i çështjes penale kërkuar nga SPAK dhe miratuar nga Gjykata e Apelit.

Sulmi i parë, ai ndaj SHBA, kërkon t’ju japë zemër mbështetësve të vet të mos tremben nga izolimi që pret grupimin politik të Berishës dhe mungesën e perspektivës në politikën shqiptare, për çdo individ që i bashkohet “Haxhiqamilizmit” të shekullit 21.

Berisha në fakt po përpiqet të njehësojë problemin e tij me SHBA, në problem të çdo mbështetësi të tij, për t’u mbushur mendjen se ai është ndëshkuar aq kot, sa mund te ndëshkohen dhe ata.

Por në fakt sulmi i tij i dytë përgënjeshtron të parin.

Një nga tri pikat për të cilat është ndëshkuar Sali Berisha dhe familja e tij, është shantazhimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për të shpëtuar nga gjykimi veten, pjesëtarë të familjes dhe zyrtarë të tij.

Sulmi ndaj tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë, të treve me emër, ka vetëm një objektiv. Shantazhimin e tyre para se të marrin vendimin për dosjen e Fatmir Mediut, e cila në të vërtetë është dosja e djalit të Sali Berishës.

Nëse ai gjyq zhvillohet normalisht dhe jo nën presionin e Berishës, aty provohet lehtësisht se Sali Berisha ka ushtruar ndikim të paligjshëm të pushtetit, duke i imponuar ministrit të Mbrojtjes të bëjë një tender me fitues të përcaktuar, i cili ishte vet-ofruar nga i biri i tij për një kontratë direkt nga qeveria pa tender, por që u kundërshtua në mbledhjen e Qeverisë nga zëvendëskryeministri Ilir Rusmali dhe ministri i Financave Ridvan Bode.

Pas kësaj, kontraktuesi i vet-ofruar përmes të birit të Sali Berishës e mori këtë kontratë me një vendim të paligjshëm të Fatmir Mediut, si ministër i Mbrojtjes.

Më tej gjurmët e ndikimit të paligjshëm të Sali Berishës përmes të birit zbulohen përmes dhjetëra detajeve, siç janë raportimet me faks të Ministrisë së Drejtësisë për djalin e Sali Berishës në një zyre që e përdorte privatisht në Ministri të Mbrojtjes, 42 takimet e tij me Fatmir Mediun, regjistruar në librin e sekretares, dhjetëra telefonata me Delijorgjin para dhe pas momentit të shpërthimit në Gërdec, emërimi i baxhanakut Berishës si person kyç në demontim, përfshirja e shokëve të ngushtë të Shkëlzenit në operacionin e demontimit etj.

Verifikimi i akuzës për Sali Berishën për ndikim të paligjshëm përmes të birit është lehtësisht e verifikueshme, nëse Gjykata Speciale Antikorrupsion do të ketë minimumin e përkushtimit për ta zbardhur këtë çështje. Në dosjen e Prokurorisë ka gjithçka.

Sulmi i sotëm i Sali Berishës ndaj tri gjyqtareve që mund të kenë ndikim në këtë çështje në Gjykatë të Lartë, është arsyeja pse Sali Berisha është në listë të zezë të SHBA, pasi ky shantazh ka qenë një praktikë 30- vjeçare e tij.

Ky njeri ka sulmuar çdo kryeprokuror, çdo gjyqtar dhe gjykatës të lartë në këtë vend, që ka pas në dorë historitë e familjes së tij, duke i shantazhuar, poshtëruar apo larguar nga detyra.

Këtë bëri dhe sot. Mjafton kjo për të kuptuar se foltorja e tij është për të shpëtuar kokën e Zenit dhe të historive korruptive të familjes së tij. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që ai të çohet në mëngjes për të sulmuar Lulin në Kamëz dhe të mbajë në xhep shënim emrat e gjyqtarëve që mund t’i dënojnë të birin dhe të merret me ata.

Ky është halli i vërtetë i tij. Foltorja është për të shpëtuar djalin biologjik, se djalit politik nuk çfarë t’i bëjë më.

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin