MENU
klinika

“Ka ende kohë për t’i thirrur arsyes”

Gjekmarkaj: Kuvendi i datës 18 legal, të vijë kushdo

29.11.2021 - 19:45

Ka ende kohë për t’i thirrur arsyes. Kështu mendon deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj duke iu referuar situatës në Partinë Demokratike dhe krizës së nisur prej lëvizjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Gjekmarkaj tha se lëvizja e zotit Berisha është një lëvizje që niset dhe motivohet nga qëllimi dhe interesat personale. Sipas tij, ka ende kohë për t’i thirrur arsyes sepse njerëzit, baza e PD-së, qytetarët kërkojnë një opozitë të fortë, një opozitë atraktive, luftarake ndaj qeverisë së Edi Ramës, ndaj pushtetit.

Ai theksoi se Kuvendi i datës 18 legal dhe mudn të vijë kushdo. Gjekmarkaj deklaroi se drama më e madhe për mbështetësit e 11 dhjetorit do jetë data 12, pasi s’do ta kuptojnë as vetë pse erdhën në Tiranë.

Si e mendoni ju që do të shkojë situata në PD?
Unë prej disa ditësh kam qenë në kontakt me qytetarët e Lezhës, të Mirditës dhe të Kurbinit, madje po vij prej atje dhe të gjithë në një farë mënyre kërkojnë që PD të jetë një parti e bashkuar dhe të bëhet e pamundura që PD të mos hyjë në derivat e panjohura që do ta nxirrnin në raport me të ardhmen një parti me trauma dhe me probleme. Çështja është që kjo gjendje traumatike, kjo ndjesi përçarjeje në të cilën jetojmë ka filluar pas datës 9 shtator, pas vendimit që mori Lulzim Basha për të pezulluar liderin historik Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së nga një vendim i imponuar nga DASH, nga SHBA-të, aleati kryesor i Shqipërisë dhe i PD-së.

 

 

Kjo lëvizje në optikën time, me gjithë respektin që kam për Sali Berishën është një lëvizje e paperspektivë historike dhe dialektike. Është një lëvizje që niset dhe motivohet nga qëllimi dhe interesat personale. A e dëmton PD-në, sigurisht që e dëmton. A ka mbështetje në bazë Sali Berisha, sigurisht që ka sepse ka 30 vjet që e dominon PD-në. E ka udhëhequr në fitore, në opozitë, ka qenë ndoshta bashkë me Lulzim Bashën po drejtues i kësaj opozite në 8 vite në vendime të rëndësishme të kësaj partie, kështu që sigurisht që ai e ka mbështetjen e vet. Por është zoti Berisha që e ka kërkuar në një farë mënyre këtë rrugë, ka përdorur këtë gjuhë përjashtuese, ka përdorur një gjuhë ultimative që në ditët e para kur hapi foltoren, gjuha për pjesën tjetër që nuk ishte dakord me lëvizjen e tij, ka qenë gjuhë denigruese, linçuese, përjashtuese dhe ka pasur një sjellje autoritariste, ka përcaktuar vetë çfarë do të jetë PD-ja e së ardhmes, cilat do të jenë ndryshimet në këtë parti, kush do të jetë kryetari i saj, kur do të mblidhet Kuvendi i saj. Ka nisur një proces për mbledhje firmash, duke përjashtuar totalisht PD-në, kryetarin e saj, kryesinë, Këshillin Kombëtar, duke mos i njohur, duke i legjitimuar dhe kjo për mua është një sjellje e papranueshme.

Njëra palë thotë që nuk duhet kundërshtuar ultimatumi që vjen nga DASH, pala tjetër thotë jemi të gatshëm ta marrim përsipër riskun politik për t’i qëndruar kësaj, sa e zgjidhshme është kjo dilemë?
Nga njëra anë është PD me gjithë strukturat e veta, gjithë mbështetësit e vet, nga ana tjetër është politikani Sali Berisha, i cili ka jo pak mbështetës dhe ndjekës, qoftë në PD, qoftë në Shqipërisë. Çështja është që cilat janë arsyet e këtij pezullimi, ato janë botërisht të ditura. A kishte mundësi tjetër veprimi PD, lidershipi i saj? Unë besoj që jo, nuk kishte rrugë tjetër dhe në këtë pamundësi kjo ishte zgjidhja e vetme. Askush nuk dëshironte që Sali Berisha të pezullohej nga grupi parlamentar. Askush prej nesh nuk dëshironte që ai të shpallej non-grata. Do donim të gjithë të ishte një histori që të merrte fund dhe befas të zgjoheshim në mëngjes dhe të mos ishte non grata, por ai është dhe ne nuk mund të përdorim dy standarde në qoftë se kemi përdorur sigurisht për të tjerët, nuk kemi pse themi për Berishën një gjë të ndryshme. Çështja është se si do sillen tani e tutje. Unë mendoj që ka ende kohë për t’i thirrur arsyes sepse njerëzit, baza e PD-së, qytetarët kërkojnë një opozitë të fortë, një opozitë atraktive, luftarake ndaj qeverisë së Edi Ramës, ndaj pushtetit.

Nuk mund të jesh i tillë, nuk mund të jesh 100% i besueshëm, nuk mund të jesh luftarak, nuk mund të zërë fjala vend aq sa duhet për sa kohë ke një sherr të tillë në shtëpi sepse vëmendja bie tek debati dhe lufta politike. Sigurisht që koha është ajo që do t’i shërojë plagët e PD-së sepse nuk ka kurrë gjëra të përjetshme. Çështja është tek mënyra se si po bëhet kjo luftë politike brenda PD-së. Më duket se ka një sens retrograd në gjithë debatin që po zhvillon foltorja dhe Sali Berisha. Ai ka grumbulluar rreth vetes sigurisht njerëz që kanë kontribuar në PD, por edhe njerëz që kanë përfituar shumë nga PD dhe që kanë dëshirë të rikthehen për të përfituar përsëri. Ka një tendencë që është e vështirë t’i japësh një shpjegim nga pikëpamja filozofike. Këta njerëz duan të jenë të përjetshëm. I bie që nuk ka më shanse të barabarta për të tjerët. Nuk ka më mundësi për fëmijët e qytetarëve anonimë që të hyjnë në politikë dhe të garojnë sepse do jenë gjithnjë të njëjtët, do bëhen dinastitë politike. Unë jam kundër një gjendje të tillë.

Ky sherr do përfundojë disi, si e mendoni PD pas kësaj? Do ketë dy parti, një parti dhe pala tjetër do zhbëhet?
Unë besoj që ka një dhe do ketë vetëm një PD. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen është e vështirë ta parashikosh sot sjelljen e kujtdo. Në një vend të lirë kushdo është i përgjegjshëm për vendimet e veta dhe i lirë të marrë vendimet e veta. Nëse ndodh që do krijohen parti të reja, gjithsecili është i mirëpritur në arenën e pluralizmit politik të hyjë me siglat që dëshiron.

Do preferoja që PD të mos fragmentarizohej, të mos i shkëputej askush. Do doja të krijohej një mundësi që çdokush që ka kontribute në këtë parti ta ndiejë veten pjesë, të ketë aksione të veta. Të jetë një parti e aksionerëve, e qytetarëve, jo thjesht një parti e lidershipit.

A ekziston mundësia që kjo gjë të zgjidhej me gjakftohtësi dhe të kishte vetëm një Kuvend dhe të vendoste vota?
Janë disa principe. Mendoj që një parti si një organizatë, ku njerëzit janë aty prej bashkimesh vullnetare duke ndarë disa ide të përbashkëta dhe disa pika të përbashkëta që janë statuore dhe kushtetuese për një parti, mendoj që këto duhen respektuar dhe nëse do të dëshironin që të kishte një Kuvend të pranuar nga të gjithë do ndiqej linja jo e ilegalitetit. Foltorja ka shkaktuar një krizë në PD. Në pleudarinë e Foltores thuhen dhe të vërteta dhe për PD dhe për jetën politike.

Vendimin që z. Basha mori bashkë me kryesinë për Kuvendin, e quajta si një farë triumfi të Foltores, sepse nëse nuk do ishte kriza që shkaktoi foltorja nuk do kishte një kongres të datës 18. Kjo është një mundësi që aty të vijnë të gjithë, të vijë Sali Berisha, mbështetësit e tij, të vijë kushdo. Le të bëhet një kongres i gjatë, le të debatohet dhe me tone të larta, por të mblidhen në një kongres legal. Të marrin vendime që t’i nënshtrohen vullnetit të shumicës, të dalim të bashkuar. Do ishte shumë mirë që Kongresi i datës 18 të ishte për të gjithë, por do duhet që ai i datës 11 të mos zhvillohej, të mos krijonte fabula të rreme. Çfarë ndodh? Për t’i motivuar njerëzit, sigurisht të pakënaqur nga mosardhja e pushtetit, nga masakra zgjedhore, nga frustrimi që të jep të qenit opozitar në Shqipëri disa janë motivuar dhe mikluar që më datën 11 do shkarkohet Basha, më 12 do të bëhet Berisha, më 13 do rrëzohet Edi Rama, më 14 do jenë drejtorë, deputetë, shefa, specialistë, por kjo është një gënjeshtër e gjitha.

Drama më e madhe për këta mbështetës të datës 11 do jetë data 12. Çfarë do iu ofrojnë në datën 12. Berisha e di shumë mirë që nga pikëpamja legale Kuvendi i tij nuk qëndron. Berisha e di shumë që nuk mund ta marrë PD-në me një Kuvend ilegal. E di shumë mirë që nuk ka asnjë mënyrë tjetër veçse legalitetit të marrë PD-në. Çështja është si do ta menaxhojë ai. Mundësitë janë dy, ose të shkojë drejt një partie tjetër që uroj që jo sepse PD ka nevojë për të gjithë mbështetësit, qoftë dhe ata të Berishës, ose le të themi t’i thërrasë arsyes dhe njerëzit të kthehen tek aksioni opozitar dhe tek rindërtimi i PD-së si një parti e fuqishme opozitare dhe si shpresa e vetme në vend.

Çfarë ndodh sepse edhe Berisha dhe përkrahësit e tij thonë që ¼ mund ta mbledhin Kuvendin? Duket sikur ka një pamundësi të palëve për ta verifikuar, cilët janë delegatët, cilët kanë firmosur. Pse nuk u hapën kartat nga të dyja palët?
Ne nuk e dimë se sa delegatë kanë firmosur për Kuvendin. Nuk e kuptoj këtë fshehtësi. Herë pas here lexohen emra delegatësh nga degë të caktuara dhe rezultojnë një pjesë që nuk janë në Shqipëri fare, ose nuk janë delegatë. Nëse do të donin një Kuvend të pakontestueshëm, do ndiqnin rrugën legale të dorëzimit në institucionet e partisë për të verifikuar çdo gjë. Nuk ka dy palë. PD nuk ka nevojë t’i vihet në prove legaliteti për Kuvendin e 18 dhjetorit, ndërsa tendenca për të mbledhur Kuvendin me ¼ që ndodh për herë të parë është iniciativë e zotit Berisha dhe lëvizjes së tij.

Mirëpo është një lëvizje që rri në kufijtë e klandestines dhe të publikes pa tentuar të legalizohet në forumet e partisë. Kjo nuk mund të ndodhë.

Ka dhe një përplasja me LSI-në, sa e nevojshme ishte kjo që të ndodhte?
Dialektika politike në Shqipëri lëviz me shpejtësi. Fakt është që LSI në 2017 ka marrë shumë vota demokratësh. Këto vota demokratësh ku shkuan, shkuan për të dobësuar PD-në. Ka marrë dhe në 2013 vota demokratësh duke shkuar në qeveri me z. Rama. Në 2017 po kaq ka marrë vota të shumta demokratësh që u rikthyen tek PD në zgjedhjet e 25 prillit. Mënyra se si funksionoi aleanca parazgjedhore me LSI-në nuk ka qenë e duhura.

Mosdalja në një listë të vetëm ka ndikuar shumë për ta ulur frytin e rezultateve të 25 prillit. Përtej kësaj mendoj që PD ka nevojë të ndërtojë një identitet të vetin, një identitet të ri dhe kjo parti duhet të shohë thellë nga e shkuara e vetë. Ne kemi përvojën historike qoftë dhe të vendeve socialiste. Ka një folklorizim të politikës në shërbim të mitit. Duhet parë e kaluara që ne të ndërtojmë një PD-në për 20 vitet e së ardhmes, një PD që t’i flasë shoqërisë, elitave të jetë shpresë për të ardhur në pushtet dhe jo një parti që ka ngarkesat e njerëzve që kanë përfituar nga pushteti. Duhet të shohë veten pa u shqetësuar për aleancat e momentit, aleancat mund të shihen në një moment tjetër. Tani duhet të krijojë një identitet të qartë të vetin pas krizës dhe traumës që po kalon.

Ka mundësi të kemi një Kuvend apo është e pashmangshme?
Ne kemi një Kuvend është ai i datës 18, i vetmi legal i PD-së. Ai i datës 11 është një tubim dashamirësish të zotit Berisha që në datën 12 s’do ta kuptojnë as vetë pse erdhën në Tiranë.