MENU
klinika

Qarqet me rënie gjatë 9-mujorit, edhe Tirana

INSTAT: Covid-19 përkeqëson lindshmërinë

23.11.2021 - 13:03

Sjellja në jetë e një bebeje po bëhet fenomen i rrallë, sidomos në qytetet më të vogla ku lindshmëria vit pa viti po bie me ritme dyshifrore.

Rënia e lindjeve në shkallë të madhe ka përfshirë edhe qytetet e mëdha të tilla si Fieri, Elbasani, Durrësi dhe Tirana, popullsia e të cilave gjatë tranzicionit ishte rritur për shkak të imigrimit të brendshëm.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë 9-mujorit 2021, lindjet në shkallë kombëtare ranë me 7.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por të dhënat sipas qarqeve tregojnë se lindshmëria ishte me rënie në të 12 qarqet e vendit, po në katër prej tyre, ritmet e rënies ishin dyshifrore.

Rënia më e fortë ishte në Gjirokastër, ku shihet se, në 9-mujorin 2021 lindjet e bebeve shënuan tkurrje me 22%. Në këtë qark lindën gjithsej 319 foshnja në janar- shtator 2021, nga 409 bebe në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Pas Gjirokastrës, Elbasani shënoi reduktimin më të madh të lindjeve me -17.5% në 9-mujor. Gjithsej në këtë qark lindën 1732 bebe nga 2100 në janar-shtator 2020.

Qarku i Vlorës ishte i treti për tkurrjen e madhe të lindshmërisë me mbi 15% në 9-mujor, me 153 bebe më pak se më 2020.

Më tej, Qarku i Fierit rezultoi me rënie të madhe të lindjeve me mbi 14%. Në-9 mujorin 2021, në Fier lindën 283 bebe më pak se vitin e kaluar, numër i mjaftueshëm për mbylljen e një shkolle.

Rënia e lindjeve ishte më e butë në Qarkun e Shkodrës ku numri i bebeve të lindura më 2021 ra me -1.3%, më tej në Lezhë me -4.7% dhe Berat me -7.3, Durrës,- 8.1%, Korçë -8.6%, Kukës -8.6% dhe Dibër -9.2%.

Gjatë vitit 2020, lindshmëria pa rritje pozitive së paku në tre qarqe, por ritmet pozitive të rritjes u zbehën në 9-mujorin 2021. Edhe kryeqyteti i cili nën efektin imigrimit të brendshëm ka pasur rritje të popullsisë, tani është në fazën e maturimit. Ritmet e rritjes së popullsisë në Tiranë po bien nga viti në vit, ndërsa një anketë mbi emigracionin që ka zhvilluar INSTAT ka treguar se gjatë viteve 2011-2019, më shumë se 10 % e familjeve në këtë qark kanë emigruar jashtë. Tashmë ky fenomen po pasqyrohet në rënien e numrit të lindjeve.

Rënia e lindshmërisë, nga njëra anë, dhe rritja e vdekshmërisë edhe si rrjedhojë e pandemisë Covid-19 po përkeqëson treguesin e shtesës natyrore të vendit. Me këto zhvillime, popullsia e vendit do të hyjë shume shpejt në rënie të pazëvendësueshme, ndryshe nga rënia që krijon emigracioni i cili gjithmonë mban në vetvete variantin e rikthimit në atdhe.

Treguesit demografikë të vendit po ecin më keq se projeksionet pesimiste, teksa pandemia i ka ndikuar negativisht. Në klinikat gjinekologjike dhe maternitete, konsultat për të lindur fëmijë kanë rënë dukshëm.

Kufizimet në lëvizje, përkeqësimi i situatës ekonomike dhe frika se shtatzënia do të dëmtohet nga pandemia kanë shtyrë planet për fëmijë. Të njëjtat burime thonë se abortet për shkak të COVID janë rritur. Ka pasur raste, ku Sars-Cov-2 ka shkaktuar abort edhe tek gra që kanë shfaqur simptoma të lehta./MONITOR