MENU
klinika

Vetingu pas qershorit të 2022

Kaos në Këshillin e Lartë të Prokurorisë e Gjyqësor

12.11.2021 - 10:22

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka ndjekur të njëjtën praktikë si homologët e tyre, Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Ky i fundit, nisur nga detyrimi kushtetues se në qershor të vitit të ardhshëm, sipas ligjit themelor të vendit, do duhet të bëjë vetingun e gjyqtarëve pasi mbaron mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kishte parashikuar në projektbuxhet kërkesën për para dhe logjistikë shtesë për vitin e ardhshëm.

Një gjë të tillë nuk e kishte bërë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ky fakt u pohua dje në Komisionin e Ligjeve teksa paraqiti nevojat për buxhetin e vitit të ardhshëm nënkryetari i KLP-së, Alfred Balla. Nënkryetari i KLP-së u shpreh se në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm nuk kanë bërë kërkesa për para dhe staf apo logjistikë pasi ka nënkuptuar se nëse mandati i KPK-së përfundon, pjesa e mbetur e buxhetit për muajt në vijim të 2022-shit do t’i kalojnë KLPsë dhe KLGJ-së. Po ashtu, Balla tha se u nisën edhe nga fakti se në Kuvend ka pasur një nismë për ndryshimet kushtetuese.

Ndërkohë që nisma për ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të KPK-së u bë vetëm një muaj para.

“KLP deri më sot nuk ka përgatitur asnjë studim në lidhje me vazhdimësinë e procesit të vetingut, që sipas Kushtetutës, pas muajit qershor na takon neve. Pikërisht kur i mbaron mandati KPK-së. Pse s’e kemi bërë ne? Ne kemi menduar të paktën deri më sot që buxhetit tërësor i planifikuar për KPK për 2022-shin, i cili shumë lehtë mund të transferohet pjesa tjetër te ne. Jam i bindur që buxhet të planifikuar nga qeveria ka dhe duhet të ketë. Gjithashtu, procesi i rivlerësimit është në realizim. Unë shoh që deri më sot ka kaluar gjysma e prokurorëve. Janë 168 subjekte pa kaluar vetingun. Ne për 6 muaj i bie të krijojmë një tablo të qartë se sa prokurorë do të kalojnë në filtër te ne. Mundet që KPK të kalojë të gjithë prokurorët dhe ne s’kemi nevojë t’i bëjmë. Është gati një periudhë gati 8-9 mujore dhe jemi në gjendje ta bëjmë një studim. Unë jam i mendimit që buxheti për KPK-në mund të pjesëtohet në dysh për KLGJnë dhe KLP-në. Komisionerët s’do të jenë më pjesë. Janë 22 anëtarë që nëse marrim edhe këshilltarët që ka 36 KPK, ku 18 shkojnë për KLGJ-në dhe 18 për KLP-në. Plus kemi edhe stafin tonë. 12 këshilltarë ligjorë. Pastaj mund të ketë nevojë për rregullim ligjor. Por deri tani ne nuk e kemi menduar. Po ashtu jemi nisur edhe nga fakti se në Kuvend ka një nismë kushtetuese për zgjatjen e mandatit”, tha Alfred Balla, nënkryetar i KLP-së.

REAGIMI

Për Partinë Demokratike, sjellja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë lë dyshim për bashkëpunim mes organit qeverisës të prokurorëve dhe Partisë Socialiste. “Me atë që kuptova unë, për çështjen e vetingut të 2022-shit juve si KLP nuk keni ndërmarrë asnjë masë apo veprim lidhur me Ministrinë e Financave për të përcaktuar nevoja shtesë, para shtesë, siç kishte bërë KLGJ pak kohë më parë. KLGJ, bazuar në detyrimin kushtetues që në qershor do të fillojë procesin e vetingut për gjyqtarët, ka filluar një proces studimi që në prill të 2021-shit dhe jo vetëm kaq, por bazuar në këtë studim, në gusht i ka kërkuar Ministrisë së Financave për funksionin shtesë, paratë dhe njerëzit. Kjo më duket logjike. Ajo që s’më duket logjike dhe pres të marr përgjigje është se përse ju nuk keni bërë një gjë të tillë në këtë proces. Por ju u shprehët si të vendosë qeveria. Ku e dini ju se do të ndryshojë Kushtetuta? Për ju situata është kjo që është. Ju deri tani dini që më 17 qershor do të bëni vetingun e prokurorëve. Po sikur në qershor të jeni ju që do ta bëni. Ju s’keni bërë kërkesë për staf shtesë. Një institucion i pavarur siç është KLP është treguar indiferent për të kërkuar. Ju e keni marrë me mendjelehtësi këtë? Ju thoni po të dojë qeveria le të na i kalojë në 2022- shin. Po nuk deshi, prapë mirë. Kjo minimalisht tregon mungesë koshience për pavarësinë e institucionit. Mos ndoshta bëhet fjalë për ndonjë fill të kuq lidhjeje me pushtetin?!”, tha Alibeaj. Një gjë e tillë u mohua nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila shpjegoi ligjin e buxhetit. “Është sqaruar që ligji i buxhetit e sqaron se buxhetohet funksioni nuk buxhetohet institucioni”, tha kryetarja e Komisionit.