MENU
klinika

Lejoi shitjen e akulloreve kancerogjene

KLSH kallëzon kreun e AKU: Shpërdoroi detyrën, nuk i tërhoqi në kohë nga tregu

11.11.2021 - 09:00

Funksionarët e lartë shtetërorë vihen përpara përgjegjësisë jo vetëm kur veprojnë në mospërputhje me ligjin, por edhe për mosveprime.

Ky është rasti i drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve, Bledar Skënderi, i cili është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës për shkak se nuk ka reaguar si duhet ndaj alarmit të ngritur nga Bashkimi Europian për sasi oksidi etileni në disa akullore.

“Për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, KLSH ushtroi jashtë programit vjetor auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt: ‘Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF për përdorimin e paautorizuar të substancës ‘oksid etileni’ në prodhimin e produktit ‘Akullore@, deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”, citohet në njoftimin e KLSHsë, i cili vijon se gjatë auditimit ka evidentuar mosveprime të drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së, çka bie ndesh me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtij institucioni.

Për këtë arsye, institucioni që ngarkohet me kontrollin e financave publike ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë duke e cilësuar pasivitetin e kreut të AKU-së si “Shpërdorim detyre”.

Përgjatë periudhës së verës, në gusht, Komisioni Europian ngriti alarmin për prezencën e lëndëve kancerogjene në disa akullore të firmave të njohura. Autoritetet e kontrollit në vende europiane bllokuan tregtimin e këtyre produkteve, pasi rezultuan të kontaminuara me oksid etileni, i cili ka aftësinë të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë kancer.

Nga ana tjetër, drejtoria përkatëse në Shqipëri vetëm në fund të verës bëri një bilanc për akulloret e paketuara ku deklaroi se totali i atyre që kanë hyrë në vend ishin 16 tonë, 11 prej të cilave ishin konsumuar nga qytetarët, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar.