MENU
klinika

Lufti Dervishi

Kosova dhe Shqipëria të mësojnë nga njëra tjetra!

27.11.2021 - 13:42

1. Shqipëria mund të mësojë nga Kosova si zhvillohen zgjedhjet, Kosova duhet të mësojë nga Shqipëria si nuk duhen bërë zgjedhjet!

2. Shqipëria duhet të mësojë nga Kosova se si votuesit ndërrojnë 5 kryeministra/qeveri në 8 vjet, Kosova duhet të mësojë nga Shqiperia se si qeveriset vendi nga një njeri për 20 vjet!

3. Shqipëria mund të mësojë nga Kosova se si ndërrohen elitat politike dhe të rinjtë marrin drejtimin e vendit, Kosova duhet të mësojë nga Shqipëria se si drejtohet vendi ne shekullin e 21 nga elita e shekullit 20!

4. Shqipëria mund të mësojë nga Kosova se si bëhet shteti, Kosova mund të mësojë nga Shqipëria se si zhbëhet shteti!

5. Shqipëria duhet të mësojë nga Kosova që në autostradën që lidh Prishtinën nga Tirana nuk ka vendosur asnjë “tra”, Kosova duhet të mësojë nga Shqipëria se çfarë do të thotë të vendosësh tra mes shqiptarëve!

6. Shqipëria mund të mësojë nga Kosova se cila është Serbia, Kosova mund të mësojë Shqipërinë çfarë në të vërtetë janë interesat e Serbisë!

7. Shqipëria mund të mësojë nga Kosova në përdorimin e gjuhës shqipe në emërtimet e lokaleve, Kosova mund të mësojë nga Shqipëria se si mësohen gjuhët e huaja duke lexuar tabelat e dyqaneve!

8. Kosova duhet të mësojë nga Shqipëria gegnishten dhe Shqipëria duhet të mësojë nga Kosova gjuhën zyrtare!

9. Kosova dhe Shqipëria mund të mësojnë nga të tjerët se si të flasin më pak dhe të bëjnë më shumë për njëri – tjetrin!

10. Kosova dhe Shqipëria, një komb që i ndan gjuha e përbashkët dhe elitat politike!