Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se Albin Kurti duhet të vazhdojë qeverisjen, teksa shtoi se vetëm vota qytetare duhet ta shkarkojë.
Krasniqi tha se nuk ka njeri në Kosovë që mund t’i përmend tri gjëra që ka bërë qeveria përgjatë nëntë muajve.
“Unë e di që zoti Kurti është jo kompetent, e kam ditë gjithmonë qe nuk ka me qene kryeministër efikas, ky është i njëjti kryeministër që është shkarkuar pas 50 ditëve, dhe njerëzit kanë besuar që nëse nuk do shkarkohej do të bënte mrekulli, unë mendoj që sot duhet me qeverisë, nuk mendoj që duhet të rrëzohet kryeministri Kurti, përveç votës qytetare dhe duhet njerëzit me pa në qeverisje dhe janë duke e parë, janë nëntë muaj prej fitores së tij masive, dhe nuk ka njeri në Kosovë që mund t’i përmend tri gjëra të mëdha qe i ka bo sot Kurti, dhe që i ka nisë, dhe do të kalojnë edhe nëntë muaj të tjerë dhe ndoshta prapë s’do i kemi as ato tri gjëra, dhe ne duhet të lejojmë qeverisjen e tij dhe me i konkurruar atij me alternativat tona”, ka thënë Krasniqi.
Ai deklaroi se i përket krizës energjetike, Krasniqi ka thënë se qeveria akoma nuk e ka ndërmarr asnjë hap, teksa thotë se shqetësimi do të shihet gjatë dy muajve të ardhshëm kur do të bien temperaturat.
“Asnjë hap nuk e kanë ndërmarr për me u përgatit për një dimër problematik dhe të ftohtë qe Kosovën mundet me kthye ne terr sikur në vitet pas luftës, nuk ka ende ndonjë shqetësim nga qeveria për këtë. Në rrezikun qe e kemi paralajmëruar që dy muaj është fakti nëse do të shtohet konsumi për shkak të temperaturave të ulëta dhe duke shpresuar që nuk do ketë avari në furnizimin me thëngjill, do të kthehemi tek ajo që nuk e kemi pa së paku prej vitit 2008 e tutje, në racionimin e energjisë siç e kemi pasur katër orë me rrym dy orë pa rrym , ose tri orë me rrym me tri pa rrym, kjo është përgjegjësi e qeverisë”, ka thënë Krasniqi në Klan Kosova.