Ajo që po ndodh nga shtatori, pra kur Sali Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, është zhvillimi më i rëndësishëm politik që prej vitit 2013 brenda së djathtës.
E gjitha kjo që ka ndodhur u majis në këto përmasa, pikërisht se dorëheqja e shpallur nga Berisha kur humbi zgjedhjet ishte vetëm një teatër dhe nuk ka qenë asnjë minutë reale.
Pasi të kishte qenë e tillë, edhe sikur të ishte marrë vendimi seriozisht, atëherë në të gjithë këto vite ne do të kishim të bënim me qytetarin Berisha dhe jo politikanin.
Dorëheqja si akt politik e vitit 2013, ishte një zhvillim i rëndësishëm, ndaj edhe u vlerësua dhe u komentua. Dorëheqja nuk është akt i plotë thjesht nëse largohesh nga kreu i partisë, por nëse largohesh nga politika për të hapur rrugën e liruar partinë.
Kjo nuk ndodhi e ne erdhëm në këtë situatë, ku siç e pohoi vetë Grida Duma me “delikatesë” kishte një dualizëm mes Bashës e Berishës.
Në fakt nuk ka pasur fare dualizëm por një situatë komandimi, që janë komentuar e diskutuar me detaje.
Ndaj erdhëm në këtë krizë të rëndë, pasi Lulzim Basha, e përjashtoi Sali Berishën, ngaqë ky i fundit nuk u largua vetë as kur e shpallën non grata qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E prej ditës që kur kemi një përplasje të fortë mes dy personazheve më të rëndësishme të PD-së, kronika që vjen prej mbulimit audioviziv është më shumë se e cunguar, sidomos prej reporterëve që mbulojnë prej vitesh Partinë Demokratike, por në radhë të parë nga emisionet e darkës, që i kanë mundësitë që të japin një panoramë sa më të qartë të situatës në PD.
Që nga raportimi i nisjes së luftës së Berishës si “luftë statutore”, deri tek situata absurde me formularët e dorëzuar si “nismë statutore” për thirrjen e Kuvendit të PD-së.
Nëse kjo përplasje do vijojë të raportoret si “sfidë rregullash”, atëherë do të duhet të ishte bërë transparenca e çdo copë letre të depozituar në kasafortën e Edi Palokës, duke bërë një veprim të thjeshtë: të publikohen të gjithë emrat e delegatëve zyrtarë të Kuvendit të PD-së dhe rrëzë tyre emrat që kanë hedhur firmën pas nismës së Sali Berishës.
Një rast i vogël “provokativ” i emisionit Fiks Fare i vuri minat këtij procesi që u shit si një “puritanizëm rregullash statutore”.
Lufta Berisha-Basha nuk ka qenë asnjë minutë një përplasje statutesh apo rregullash, ngaqë ato nuk janë respektuar asnjëherë në PD apo partitë e tjera. Tek ne rregullat ndryshohen herë pas here sipas ekzigjencës dhe jo ndryshon ekzigjenca për të respektuar rregullat që nuk ndryshohen kurrë, siç ndodh në shoqëritë e civilizuara.
Tek ne nuk njihet asnjë rezultat zgjedhor, si brenda partisë, apo në rang vendor e lokal, por ka vetëm kontestime e stërgëmbësha, intriga dhe puce. Pushteti konsiderohet një mjet që merret, e jo një fuqi që vjen vetëm si pasojë e votës e përfaqësimit.
Sali Berisha nuk ka pasur asnjë problem për performancën e kreut të PD-së, por sapo ky e fundit e përjashtoi si pasojë e një vendimi të rëndë nga SHBA, njeriu “Non Grata” nisi luftën që synon poshtërimin dhe mundjen e Lulzim Bashës, pasi ai denjoi ta poshtroi “babain” e tij politik.
Këtu nuk ka shpëtim; fiton njëri e zhduket politikisht tjetri e anasjelltas.
E në këtë prizëm, kur kemi të bëjmë me një luftë të qartë dhe letale, e cila ka shumë beteja deri në rastin fatal, kemi mjaft forca, armë, që i duhet bërë kronika me sa më shumë të dhëna e precision.
Në rastin e luftës mes Fatos Nanos e Ilir Metës në KPD-në e famshme të 2001-shit, kishin informacion të hollësishëm të dy kampeve, kush janë ato që mbështesin Metën e kush kreun e atëhershëm të PS-së.
Publiku ishte i qartë për të gjitha detajet e ësaj përplasjeje. Meta kishte më shumë struktura më vete, por humbi sepse ishte kryeministër, pra kishte çfarë të humbte e Nano jo.
Në rastin aktual, kemi një panoramë të paqartë në lidhje me forcat reale në këtë përplasje të madhe, më të rëndësishmen në të djathtën shqiptare, ku ndoshta do të vendoset vazhdimi në një stinë rinovimi total, apo një fundosje e plotë e saj.
Kemi vetëm zëra nga palët, ku secila thotë se e kanë partinë, por jo raportime mbi raportin e forcave në lojë, e kështu do të ketë edhe një konfuzion të plotë mbi ngjarjet në Foltore, por edhe në strukturat e PD-së.
Plus pastaj që të dy Kuvendet e thirrura, me numrin e madh të njerëzve që janë anëtarë 7500 vetë, e kanë të pamundur që të zhvillojnë një samit real. Sipas të gjitha gjasave do të kemi vetëm mitingje, të cilat nuk do të japin asnjë qartësi për raportet e forcës por më shumë konfuzion.
Që do ta shoqërojë procesin deri në ndarjen përfundimtare ndërmjet Lulzim Bashës e Sali Berishës, si dhe të Partisë Demokratike.
Për të lindur partinë e “popullit të 2 marsit”, të cilin Ilir Meta e konsideron të tijin, edhe pse prej kur ka qenë në politikë ka votuar kundër tij apo kanë protestuar në shesh për ta rrëzuar.
“Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e Metës sot, që ditë pas dite do të shpeshtohet edhe intensifikohet edhe më ashpër për t’i ardhur në ndihmë Berishës, e pastaj foltorja të kthehet në një duet…