Ashtu si një vit më parë, përpara se të kalonte te Roma, për një shifër rekord për një lojtar shqiptar, afro 25 milion euro, Marash Kumbulla është kthyer sërish të jetë një nga legjionarët më të lakuar në tregun e transferimeve.
Marrëdhënia jo e mirë me Jose Mourinho dhe statusi i tij si një rezervë, ka bërë që qendërmbrojtësi ta shoh veten sërish në merkato. Tekniku portugez ka kërkuar përforcime gjatë merkatos së janarit, drejtuesit e klubit verdhekuq kanë ndërmend t’i plotësojnë disa dëshira, por në të njëjtën kohë do të hapin dyert edhe për largime të mundshme.
Sipas mediave italiane, Marash Kumbulla pritet të jetë një nga lojtarët që mund të largohet gjatë merkatos së janarit. Jo vetëm Udinese, apo Sevilla, por edhe Torino ka shfaqur interes për Kumbullën. Në Torino, Kumbulla do të gjente edhe promotorin e tij, trajnerin Juric, i cili tek Verona e kishte titullar fiks.
Minutat e pakta, dhe raporti jo pozitiv me Mourinho, mund ta detyrojnë Kumbullën të largohet që në janar, pasi për të është shumë e rëndësishme të ketë sa më shumë minuta në këmbë, diçka që portugeze nuk ka ndërmend t’ia ofrojë.