Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se është i gatshëm për procesin e dialogut me Serbinë, por shton se takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të varet nga dialogu në nivel negociatorësh.
Duke folur për marrëveshjen e mundshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ai thotë se ajo duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, ndërsa thekson së kjo marrëveshje mund të arrihet gjatë mandatit të tij qeverisës.
“Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, Joe Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, te ne ekziston vullneti dhe interesimi, varet a ekziston gatishmëria te Serbia”, u shpreh Kurti për Radio Evropa e Lirë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje po i analizon shkaqet e rezultatit të zgjedhjeve lokale.
Pas rundit të dytë të këtyre zgjedhjeve, që u mbajt më 14 nëntor, Vetëvendosje përfundoi me udhëheqjen në katër komuna nga 38 gjithsej. Ky rezultat, sipas Kurtit, është i pakënaqshëm.