Pas largimit të Arben Vitias, është emëruar Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë. Në një konferencë për shtyp, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Rifat Latifi do të jetë në krye të dikasterit të shëndetësisë.
Në fjalën e parë si ministër, Latifi ka premtuar “shërim” të sistemit shëndetësor. Po ashtu ka thënë se synim do të jetë krijimi i kushteve që mjekët të mos ikin jashtë vendit.
“Faleminderit për nderin e madh që më keni bërë me këtë detyrë të jashtëzakonshme. Do të angazhohem me gjithë qenien për t’i ngritur standardet shëndetësore. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet”, tha ministri i ri, Latifi.
Sipas mediave kosovare, Latifi sapo është kthyer nga SHBA aty ku jetonte prej disa vitesh. Në vitin 2009 ai ka qenë këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të kohës Hashim Thaçit.
Latifi ka deklaruar se vendit do t’i ofrojnë shërbimet e ndryshme për të rinjtë, mjekët, infermierët dhe të tjerëve, duke ndikuar në ngritjen profesionale.
“Do të ndërpresim largimin e trurit mjekësor e shkencor nga vendi. Nëse e rregullojmë shtëpinë tonë, do ta bëjmë kthimin e trurit të larguar, që të bëjmë ngritjen e standardeve mjekësore. Të gjithë ata që duan të kthehen mund të vijnë ta ndihmojnë Kosovën”, deklaroi ai.