Lulzim Basha mbetet ndoshta njeriu i vetëm, që ka patur shansin të marrë në Partinë Demokratike, gjithë të mirat e saj dhe ish-kryetarit Berisha. Mori poste, mori mbështetje, “sfidoi” konkurrentët, u bë kryetar partie pa u “djersitur” fare. Gjithë periudha e tij, qysh nga KOP-i deri sot, karakterizohet nga një konstante e cila ka habitur edhe më të vjetrit e asaj partie. Lulzim Basha u trajtua dhe konsiderua si “njeriu Doktorit” dhe pikë.
Asgjë nuk ishte më e fortë se fjala e tij, asgjë nuk vendosej pa miratimin e tij (natyrisht me dijeni të Doktorit), asnjë nuk fliste dhe kundërshtonte sepse flakej nga partia dhe shpallej “armik”. Lulzimi nuk po e kuptonte se duke u fshehur pas Doktorit, po merrte pas vehtes faturën e mosbesimit nga shumica e demokratëve të bazës. As mbështetësit e tij të paktë, nuk e besonin. Fushata e fundit e zgjedhjeve në parti, ishte shansi që ai e shfrytëzoi mrekullisht.Porsa rimori postin e kryetarit, Lulzimi “parandjeu” se Doktorit i kishte ardhur fundi, dhe gjeti si shkak vendimin e DASH. Duhet thënë se kjo ishte një lëvizje e detyruar, ku garant ishin SHBA-ja.
Lulzim Basha gjithmonë ka menduar për pushtetin, gjithmonë e ka ëndërruar atë, por nuk ka ditur asnjëherë të gjejë rrugët, apo të krijojë mundësitë. Ai ka vepruar vazhdimisht si një Sali Berishë i vogël, dhe kopjonte atë në gjithçka. Në mbledhjet e kryesisë, Basha nisi të sillej si Doktori, nisi tu mbyllte gojën çdo zëri kundër, dhe pa mbushur java, e përjashtonte atë sikur të ishte leckë.
Ky Bashë, nuk e sjell kurrë Partinë Demokratike në pushtet, kurse për Berishën, nuk bëhet fjalë. Në rast se ishte mundësia, që Lulzimi të fitonte zgjedhjet, ndoshta duhet thënë se ishte 25 Prilli. Por ai nuk krijoi asgjë, as frymën dhe as besimin, as programin dhe as platformën e duhur për ti mbushur mëndjen militantëve të bazës. Por më kryesorja, Bashës i mungon karizma, atë që Doktori e ruan edhe sot. Së fundi, Basha po e përjashton përgjegjësinë e tij, rolin e tij, dhe praninë e tij në gjithë sfidat dhe humbjet e Partisë Demokratike, duke ja faturuar Doktorit.
Dhe kjo natyrisht mbetet një tjetër shans i keq për ëndërrën e tij “kryeministrore”. Realisht ajo parti në 8 vitet e fundit, ka patur probleme serioze lidhur me drejtimin e saj, pasi nuk dihej kush drejtonte, nuk dihej kush vendoste, gjë e cila bie ndesh me deklaratat e Bashës. Dihet se, në 8 vitet e fundit, partia e Bashës nuk ka patur përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, dhe kjo u duk qartë edhe në 25 Prill, ku PD priste me sytë nga “qielli” rrotacionin politik. Pas fitores së mandatit të tretë nga PS, Basha nisi të deklaronte se ajo ishte “masakra zgjedhore, votat u blenë dhe u shitën”, por besueshmëria e tij, sërish nuk u rrit.
Dikush në PD, i ka thënë se “duhet të ndahesh nga Berisha sepse mbete ogiç i tij ndaj dhe baza nuk të beson”. Dhe rasti nuk vonoi.Vendimi i DASH, ishte një ogur i mirë, për të larguar Doktorin dhe “lehtësuar” barrën e rëndë që mundonte Lulzimin prej vitesh.Askush nuk besonte,askush nuk vlerësonte, dhe askush nuk konsideronte emrin e tij si kryetar partie. Por sot situata ka ndryshuar. Beteja e Lulzimit për të ndërtuar një “opozitë fituese” nuk mund të realizohet pa mundur euforinë e berishistëve, dhe pa fituar besimin e shumicës së bazës partisë. Për momentin, atij duhet të mposhtë Doktorin, një “peshë e rëndë” për shpatullat e Bashës.
Foltorja, po i përmbyll takimet e saj, dhe në 11 Dhjetor “PD-ja e Berishës” mbledh Kuvendin Kombëtar. Në rast se ai arrin ta mbledhë Kuvendin dhe shkarkojë Bashën si kryetar, duhet të pranojmë se, as jeta e gjatë në politikë dhe as konfliktualiteti që e ka shoqëruar, nuk kanë ndikuar në konsumimin e tij brënda asaj partie. Dhe ky është një tjetër arsyetim, për të thënë se ky Bashë, nuk e sjell kurrë Partinë Demokratike në pushtet në gjendjen ku ajo ndodhet. Kjo vlen edhe për Sali Berishën natyrisht, por ky i fundit po “luan” aktin e fundit të karrierës tij.