Duke u marrë me deklarata shtypi, apo me cic-mice të tjera larg realitetit që po ndodh brënda partisë tij, ndoshta Lulzim Basha nuk ka gjetur (ose nuk do vetë ta gjejë) rrugën e duhur përmes së cilës vjen fitorja mbi Sali Berishën. Nuk është vonë kurrë,të dalësh dhe të sqarosh njerëzit, anëtarësinë, militantët apo qoftë edhe një grusht mbështetësish që të kanë mbetur,kur prej 2 muajsh njeriu “non-grata”, që e shpalle të përjashtuar nga grupimi parlamentar, ka dalë dhe ç’nuk po katranos. Ndarja e asaj partie tanimë është e padikutueshme, por thelbi problemit është ç’do të bëhet me pjesën e mbetur të Partisë Demokratike që përfaqëson Lulzim Basha.
Qetësia e shtirur e kryetari de jure të Partisë Demokratike, nuk i shërben askujt. Nuk i shërben as 18 Dhjetorit, as vendimeve që parashikon Basha se do të marrë atë ditë, ndaj duhet të “shkundet”, ndryshe duhet të mendojmë se “e ka të humbur davanë”. Lulzim Basha duhet të mposhtë foltoren me çdo kusht, duhet ta sfidojë Berishën, edhe pse ky i fundit thotë se “kam me vehte bazën e partisë”. Kjo që po ndodh në atë parti, nuk ka ndodhur me asnjë forcë tjetër politike në këto 30 vjet.Edhe kur Nano shpalli “Katharsis” në PS,procesi ishte i mbyllur, brënda një salle të madhe, me debate dhe replika të ashpëra, por mbi gjithçka atje ishte fryma e bashkimit, dhe jo ndarjes.
Por ndryshimi i madh, qëndron në faktin se “babai politik” i Partisë Socialiste kur humbi zgjedhjet, iku dhe nuk kthehu “kokën mbrapa” siç bëri Berisha. Askush nuk duhet të pretendojë se partia është pronë e hipotekuar, dhe mund të ikësh dhe rikthehesh kur të duash. Mposhte foltoren Lulzim, tregoi demokratëve, se je i aftë të përballesh edhe me “bajraktarin e kapidanin” e partisë , por jo duke ëndërruar fitore me ndihma nga jashtë. Justifikoje votën e atyre “85 per qind anëtarëve të PD”,që deklaron se “fitova me 1 anëtar, 1 votë”. Politika ka përballje, sfida, fitore dhe humbje. Nuk mund të jesh njeri, politikan apo kryetar i lirë, kur nuk ndeshesh në debate dhe beteja politike, kur nuk përballesh me rrezikun që i kanoset partisë tënde, dhe kur fitoren e sheh nga xhamat e zyrës tënde.
Mposhte foltoren Lulzim, largoje “gogolin” nga vetja, dhe rizgjoi demokratëve shpresën e humbur, ose bëhu burrë dhe largohu.Asgjë nuk mund të arrihet mbi pazare dhe marrëveshje “pasmesnate”, aq më tepër që eksperienca të tilla i kanë kushtuar shumë asaj partie. Mposhte foltoren e “babait politik” Lulzim, zgjohu, nise startin, dhe do ta shohësh se, deri sot je trembur kot nga “tigri prej letre”…… ndryshe hiqu mënjanë se i ke lodhur e rraskapitur demokratët.