Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka raportuar sot në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin e shtetit në këtë sektor. Sipas ministres, buxheti është përqendruar tek pagat e mjekëve dhe infermierëve, që sipas saj do të rriten këtë vit me 6%.
Po ashtu, ministrja thotë se deri në fund të mandatit rritja e pagave për mjekët dhe infermierët do të shkojë deri në 40%. Ndërsa në 8 vitet e shkuara paga është rritur në masën 63%.
“Buxheti i vitit 2022 për shëndetësinë është një buxhet që adreson sfidat e pandemisë dhe mësimet e mësuara dhe patjetër mbështet zbatimin e programeve dhe planit strategjik që kemi ndaj përgjigjes së covid 19, vijon investimet në sektor dhe hap investime të tjera për të shkuar drejt vizioni 2030.
Më të vërtetë pagat rritën në këtë vit me 6%, por kjo nuk është rritje pagash pas 8 vjetësh, por është rritje e përvitshme pagash. Kjo do të thotë që qeveria shqiptare jo vetëm që ka në fokus rritjen e pagave për të gjithë punonjësit në sektorë të ndryshëm, por për infermierët dhe mjekët vëmendja ka qenë e targetuar cdo vit.
Në këtë vit që jemi kemi patur 40% rritja paga për mjekët dhe infermierët. Fakti që do ti rrisim sërish dhe në këtë mandat do të ketë 40% rritje pagash deri në fund të këtij mandati tregon vëmendjen e qeverisë ndaj mjekëve dhe infermierë, duke filluar me 6% këtë vit.
Mos harrojmë që gjatë 8 viteve mbështetja e qeverisë për mjekët dhe infermierët ka qenë në masën 63% në total dhe duke vijuar këtë vit me 6%. Duke mos harruar që të gjithë mjekët që janë në frontin e parë të luftës kanë përfituar bonusin prej 1 mijë eurosh. Një bonus që vazhdon edhe sot që flasim”, tha ministrja.
Manastirliu pranoi fenomenin e largimeve të bluzave të bardha, por tha se ky është fenomen jo vetëm shqiptar.
“Ne kemi instrumente financiarë për mjekët dhe infermierët për të adresuar edhe fenomene e lëvizshmërisë së mjekëve dhe infermierëve që nuk prekin vetëm vendin tonë. Për këtë ne kemi vendosur të rrisim më tej pagat dhe duke përmirësuar kushtet në spitale.
Edhe Kroacia vuan nga migrimi i mjekëve, edhe Italia e vuan, edhe Franca e vuan. Por ajo që po bëjmë është në saj të përmirësimit të kushteve dhe rritjes së pagave”, u shpreh Manastirliu.