MENU
klinika

“Duhet të kuptojmë edhe disavantazhet që mund të ketë”

Mandati i vetingut, Xhafaj del kundër qëndrimit të shumicës

06.11.2021 - 10:37

Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, deputeti Fatmir Xhafaj, këmbëngul në analizën që u duhet bërë organeve të vetingut në mandatin 5-vjeçar.

Në Këshillin e Legjislacionit, ku po shqyrtohet nisma e PS-së për zgjatjen me dy vjet të mandatit të organeve të vetingut, Xhafaj adresoi disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

“Vijoj t’i përkas bindjes se gjithë ky proces që kemi ndërtuar përmes këtij kalendari intensiv duhet të na çojë në një analizë të plotë shteruese të procesit të vetingut në këto 5 vjet, si domosdoshmëri nga njëra anë për të argumentuar drejtësinë e procesit në tërësi në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe nismës për zgjatjen e afatit në veçanti.

Dhe për të ndihmuar debatin lidhur me akuzat që i bëhen projektit dhe procesit në tërësi nga kundërshtarët e tij, besoj fort se nëse arrijmë të krijojmë një kuadër të plotë të ecurisë së procesit, do të mund të shkojmë edhe në zgjidhjen e duhur në përfundim të vendimmarrjes kushtetuese që do t’i propozojmë Parlamentit nga ky komision.

Duke qenë i bindur në këtë këndvështrim se si e shoh unë gjithë këtë diskutim kam përgatitur një tërësi pyetjesh që unë besoj se mund të ndihmojnë ekspertizën e thirrur nga ky komision, dy ekspertëve konstitucionalistë, por edhe ekspertiza ndërkombëtare që ka marrë përsipër ta asistojë këtë proces”, tha Xhafaj.

VENDIMMARRJA

Deputeti socialist ka kërkuar një analizë të vendimmarrjes së bërë nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit.

“Çështja e parë, si paraqitet situata konkrete me vendimmarrjet e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit të shprehura në të dhëna konkrete, shifra e fakte mbi bazën e informimit që institucionet përkatëse do të bëjnë në seancën dëgjimore, por edhe me tagrin që iu ka dhënë ky komision, mund t’u adresoni këtyre institucioneve për të marrë gjithë informacionin e nevojshëm që ka të bëjë me numrin e përgjithshëm të vendimeve, subjektet që janë në proces vlerësimi, statusi i tyre, sepse këto ndihmojnë në vendimmarrjen, jo thjesht në zgjatjen e afatit, por edhe për faktin se sa duhet të jetë ky afat, që është një element shumë i rëndësishëm i nismës që paraqitet”, tha Xhafaj.

SHKAQET

Për deputetin socialist, për të kaluar në një vendimmarrje sa më të qartë, kërkohet që të kuptohet se cilat kanë qenë shkaqet e mospërmbushjes së vetingut të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve brenda mandatit 5-vjeçar.

“Së dyti, lidhur me ecurinë e procesit të vetingut në tërësi dhe problematikave për të parë sipas këndvështrimit tuaj dhe institucioneve që do të vijnë të raportojnë se cilat janë shkaqet e mospërmbushjes së afatit kushtetues, afatit 5-vjeçar.

Sa lidhen këto me faktorë të jashtëm apo faktorë të brendshëm të punës së vetë komisionerëve të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit apo edhe vetë ONM-së? Cilat janë problematikat e konstatuara dhe si ne mund t’i mbështesim me instrumente të tjera për t’i minimizuar dhe zbutur në këtë periudhë që mbetet”, u shpreh deputeti socialist në Këshillin e Legjislacionit.

Sipas tij, duhen parë avantazhet dhe dizavantazhet e dy opsioneve, të zgjatjes së mandatit apo kalimin e vetingut te KLP dhe KLGJ.

“Sot ne kemi një parashikim kushtetues dhe një projekt që ka ardhur dhe do të na duhet të gjykojmë mbi këtë projekt.

Ne duhet të kuptojmë cilat janë avantazhet duke ruajtur vazhdimësinë e punës së KPK-së, por edhe dizavantazhet që mund të ketë, dhe për t’i peshuar dhe vënë në balancë se çfarë ka më shumë rëndësi dhe për të marrë një vendimmarrje të drejtë.

Pse është e nevojshme që ky proces të vijojë deri në mbylljen e tij të plotë nga KPK dhe Komisioneri Publik. Cilat janë garancitë që komisioni do ta përmbyllë shqyrtimin e të gjitha subjekteve brenda këtij afati të propozuar nga nismëtarët për zgjatjen e mandatit.

Ashtu si kundër duhet marrë në konsideratë fakti që sa kohë do t’i duhet KLGJ-së dhe KLP-së nëse ato do ta ushtrojnë këtë funksion sipas parashikimit kushtetues. Duke i peshuar këto, ne padyshim do të jemi të aftë në fund të themi që kush i jep më shumë garanci procesit, kush i jep më shumë qëndrueshmëri dhe siguri procesit”, tha Xhafaj i cili abstenoi për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një opinion për shtyrjen e mandatit të organeve të vetingut.