MENU
klinika

Moto GP, Ronaldo përshëndet Doktorin

Mbyllet sezoni, Valentino Rossi i jep fund karrierës

14.11.2021 - 18:27

Piloti italian i Ducati, Francesco Bagnaia, fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Valencia në Moto GP, gara e fundit sezonale. Një sukses më së shumti për statistikë për Bagnaia, pasi titulli kampion është vendosur kohë më parë. Ai është fituar nga francezi i Yamaha, Fabio Quartararo, që sot u klasifikua në vendin e pestë.

Në podium u ngjitën edhe spanjolli Jorge Martin me Ducati Pramac (e nisi garën nga “pole”), ndërsa i treti u rendit australiani Jack Miller me motorin tjetër zyrtar të Ducati. Për sa i përket garës. Ajo u vendos në mesin e saj, kur Bagnaia parakaloi Martin dhe më pas e ruajti kreun deri në fund, duke e merituar fitoren.

Vëmendja në garën e sotme ishte te një tjetër pilot italian, Valentino Rossi me Yamaha Petronas (i dhjeti sot). Legjenda e Moto GP zhvilloi sot garën e tij të fundit në karrierë, pasi ka vendosur të tërhiqet nga ky sport, ku ka fituar 9 tituj kampionë. Emocionet e kësaj gare ishin të mëdha për Rossi, që u përshëndet nga fansat e shumtë e kolegët e tij pas garës.

Doktori u prit me ovacione pasi kaloi vijën e finishit. Rossi e kishte paralajmëruar që kjo do të ishte gara e tij e fundit në karrierën e tij jubilare. Shumë personazhe të famshëm i dedikuan nga një urim italianit, ku nuk mungoi edhe braziliani Ronaldo, i pranishëm në Valencia sot.

Valentino Rossi është padyshim legjendë e Moto GP. Karriera e tij ka frymëzuar shumë pilotë të rinj dhe i ka sjellë një popullaritet mjaft të madh këtij sporti. Italiani ka marrë pjesë në 370 gara përgjatë karrierës së tij. Ai ka fituar 89 dhe ka qenë në podium 199 herë.