MENU
klinika

‘Gërdeci’

Mediu: Me biznesin e armëve u mor tjetërkush, s’kam pasur asnjë lidhje

03.11.2021 - 18:15

Fatmir Mediu zhvilloi një konferencë për shtyp ditën e sotme pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit.

Dy ditë më parë ish-ministri i Mbrojtjes, kundërshtoi vendimin e Apelit të GJKKO për rihapjen e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit.

“Vendim absurd i gjyqtarit të SPAK-ut, synohet gjykimi im në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Këto janë akte juridike janë në kundërshtim të plotë me Kodin Penal dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Këto akte kompromentojnë rëndë seriozitetin e këtyre institucioneve. Krijojnë precedentë shumë të rrezikshëm kur cënojnë një vendim të rregullt ligjor.

Nuk kam qëllim të refuzoj drejtësi-bërjen, por paligjshmëria nuk prodhon drejtësi. Propaganda dashakeqe, me interesa të caktuara duke keqinterpretuar faktet, duke më bërë mua përgjegjës.

Janë fakte të pakundërshtueshme që nuk kam pasur asnjë lidhje direkte apo indirekte me ata që kanë zhvilluar biznesin e demontimin të armëve në Gërdec.

Ka pasur hetim dhe janë deklaruar të tjerë fajtorë,” tha Mediu.

Rihapja e çështjes “Gërdeci”

Apeli i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda për rihapjen e hetimeve.

Vendimi është marrë në apelin e GJKKO, e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të Shkallës së Parë.