MENU
klinika

Çështja “Gërdeci”

Mediu: Rigjykimi nuk sjell asnjë dobi!

04.11.2021 - 10:44

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu tha dje se rihetimi dhe rigjykimi i tij për çështjen “Gërdeci” nuk do të sjellë asnjë dobi.

Në një konferencë për mediat pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, i cili i hapi rrugë rihetimit dhe rigjykimit të tij për çështjen “Gërdeci” dhe rekursit të tij në Gjykatën e Lartë, Mediu e konsideroi kërkesën e SPAK-ut dhe vendimin e Apelit të GJKKO-së si akte në kundërshtim me Kushtetutën. Ai theksoi se nuk ka pasur lidhje direkte apo indirekte me ata që kanë zhvilluar biznesin e demontimit të armëve në Gërdec. Ai argumentoi se ka disa vendime nga drejtësia që çështja është shqyrtuar dhe ka pasur të dënuar e të pafajshëm.

Sipas tij, ato që kërkon SPAK janë shqyrtuar më parë nga Prokuroria. “Kërkesa për vazhdim gjykimi nuk mund të konsiderohet. Ajo çfarë SPAK sot kërkon dhe Gjykata e Apelit ka vendosur janë çështje që janë shqyrtuar nga Prokuroria e Përgjithshme në 2014-ën dhe nga Prokuroria e Tiranës në 2018-ën. Në të dyja rastet prokuroritë përkatëse kanë refuzuar rihapjen e kësaj çështjeje dhe në vitin 2018 Gjykata e Tiranës kanë lënë vendimin e Prokurorisë në fuqi”, tha Mediu. Çështja e Gërdecit u rihap nga SPAK pas kërkesës së familjes Durda. Përgjegjësia Po ashtu, ish-ministri u shpreh se nuk ka pasur asnjë lidhje direkte me ata që kanë zhvilluar demontimin në Gërdec.

“Kërkesa e SPAK për të rihapur këtë çështje drejtuar Gjykatës së Lartë, po ashtu edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, janë akte juridike ne kundërshtim të plotë me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, Kushtetutën e Shqipërisë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Këto akte komprometojnë rëndë profesionalizimin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve dhe nuk sjellin asnjë dobi për drejtësinë apo për interesin publik, përkundrazi krijojnë precedent shumë të rrezikshëm për liritë dhe të drejtat e njeriut, kur cenojnë rëndë disa nga parimet e rëndësishme për një proces të rregullt ligjor”, tha Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes tha se rihapja e kësaj çështjeje lidhet me interesat e disa grupeve politike, të mbështetur nga grupe mediatike, përmes fabrikimit të lajmeve të rreme. “Kundërshtimi im nuk lidhet aspak me ndonjë qëllimin timin për të refuzuar drejtësibërjen, por me bindjen se këto shkelje vetëm bërjen e drejtësisë nuk kanë për qëllim. Paligjshmëria nuk prodhon asnjëherë drejtësi, por të kundërtën. Propaganda manipulative dhe qëllimkeqe si dhe interesat e disa grupeve politike, të mbështetur nga grupe mediatike, përmes fabrikimit të lajmeve të rreme, kanë synuar që të krijojnë perceptimin publik se ministri i Mbrojtjes është ai përgjegjës për atë ngjarje dhe se i është shmangur drejtësisë”, tha Mediu.

Sipas tij, ministri i Mbrojtjes ka zbatuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe nuk ka ushtruar asnjë presion për të hartuar bazën juridike të procesit të demontimit në Gërdec. “Nuk kam reaguar kundrejt sulmeve të ulëta, vetëm në respekt të dhimbjes së atyre që pësuan rëndë nga kjo tragjedi. Por duket se kështu i është krijuar terren çdo intriganti që të përbaltë. Janë fakte të pakundërshtueshme që nuk kam pasur asnjë lidhje direkte apo indirekte unë apo familjarët e mi me ata që kanë zhvilluar biznesin e demontimit në Gërdec. Urdhrat e ministrit për zhvillimin e procesit të demontimit janë bazë e legjislacionit në tërësi. Nuk ka asnjë nxitje apo presion nga ana e ministrit për të miratuar bazën juridike të zhvillimit të këtij procesi”, tha Mediu.

AVOKATI

Avokati i ish-ministrit Mediu në këtë çështje, Ardian Visha, e ka konsideruar anti-kushtetues dhe joligjor vendimin e SPAK për rihapjen e hetimeve për çështjen “Gërdeci”. “Nuk ka asnjë logjikë juridike. Është turp që ata të jenë në këtë lloj niveli. Akti që ne bëjmë rekurs është bërë sepse ai është një vendim që ka mungesa të theksuara në mënyrën se si është marrë. Gjyqtari i seancës paraprake mund të prishë një vendim të tillë dhe jo një vendim të një gjykate. Statusi i Mediut ishte i tillë që Kushtetuta e vendit ofronte imunitet.

Mbi çdo subjekt të këtij kualiteti, Prokurori i Përgjithshëm pasi hetonte, kërkonte heqjen e imunitetit. Prokurori i Përgjithshëm atëherë pati kërkuar heqjen e imunitetit, i cili jo vetëm është hequr, por fillimisht e kishte kërkuar vetë z. Mediu. Në momentin e dërgimit të çështjes në hetim, përkoi me rimarrjen e mandatit nga zoti Mediu dhe mori serish imunitetin. Ata mundnin që të tërhiqnin aktet dhe të rinisnin çështjen. Mbi statusin e ri të deputetit, gjykata vendosi pushimin e çështjes që ishte i pacenueshëm. Ka qenë një vendim i Gjykatës së Lartë, pra një proces. Ne kemi qenë të gatshëm për çdo zgjidhje”, tha ndër të tjera avokati Visha.

Avokati foli për dobësi juridike në rihapjen e këtij hetimi. “Janë një sërë koincidencash të një subjektiviteti ekstrem të një institucioni që duhet të veprojë me një logjikë të ftohtë. SPAK konsideroi si risi kërkesën e familjarëve për hapjen e hetimeve. Deklarata e prokurorit për hapjen e hetimeve është gati ilegale, pasi nuk pati asnjë komunikim me mediat. Kërkesa e SPAK ishte antikushtetuese dhe jo e ligjshme. Çdo akt që pason kërkesën e SPAK duhet të jetë i pavlerë. Ka deklarata mediatike nga titullari i SPAK dhe ne do t’i shkojmë deri në fund. Kjo lloj drejtësie dhe qëndrimi subjektiv i shprehur më bëjnë të besoj që kjo lloj drejtësie nuk është drejtësi e parashikuar në shinat legale. Ne do të përballemi me çdo formë që do të marrë kjo çështje. Ky rast është domethënës për mungesën e objektivizmit dhe humanizmit për këtë çështje. Vendimi i apelit të SPAK-ut nga ana tjetër është i pashembullt”, tha Visha.