MENU
klinika

Ministri austriak: E mbështesim Ballkanin e Hapur

“Një shans për të hapur negociatat për Shqipërinë në BE!”

19.11.2021 - 12:50

Austria mbështet nismën rajonale Ballkani i Hapur. Këtë e ka bërë të ditur Ministri për Evropën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linhart në një konferencë për shtyp me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka ditën e sotme në Tiranë.

Ai u shpreh se këtu bëhet fjalë për të përforcuar marrëdhëniet me shteteve të një rajoni, ndaj shprehu mbështetjen për këtë nismë. Sipas ministrit austriak, tashmë është koha që dhe BE të shtrijë dorën për investime të shumta në rajon.

Nga ana e saj, ministrja Xhaçka deklaroi se Ballkani i Hapur nuk pengon integrimin dhe nuk është një komplot për të mënjanuar rajonin nga perspektiva drejt Europës.

“Ky nuk është një proces që nuk e pengon integrimin, asnjë plan apo komplot për ta mënjanuar rajonin tonë nga perspektiva drejt Europës. Është një instrument për të përshpejtuar procesin e Berlinit që garanton 4 liritë e lëvizjes në rajon. Bazohet tek vetë eksperienca e BE-së. Po të kthehemi dhe të shohim si nisi BE, që nga konflikti të kalohet tek bashkëpunimi dhe shkëmbimi” – tha Xhaçka.

“Nuk mendoj që duhet të flasim këtu për pse ose pavarësisht pse. Këtu bëhet fjalë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë marrëdhëniet mes tyre, bashkëpunimin në rajon. Ne e mbështesim këtë gjë dhe BE duhet të zgjasë dorën dhe të bëjë projekte më shumë. Për rininë për shembull që bashkimi të ekzistojë dhe në Ballkanin Perëndimor” – tha ministri austriak.

Për procesin e integrimit europian, ministri austriak Linhart u shpreh se është një hap i rëndësishëm që duhet të ndërmerret nga ana e BE-së. Sipas tij, edhe Maqedonia e Veriut, ashtu si Shqipëria, janë pjesë e Europës e për pasojë nuk mund të qëndrojnë jashtë saj.

“Unë e mbështes mendimin e ministres. Po kthehemi nga Shkupi dhe jam i mendimit që ne tani kemi një dritare të hapur për të zhvilluar këto bisedime për maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendoj se nuk është e rëndësishme vetëm për vendet por për të gjithë rajonin, por një hap i mirë për të gjithë Europën. Maqedonia e Veriut apo dhe Shqipëria janë pjesë e Europës, janë në mes të Europës. Nuk duhet të jenë të përjashtuar, këtë mesazh duhet tja japim partnerëve tanë në BE. Është një shans absolut për të hapur negociatat për të dy vendet” – ministri austriak.

Ndërsa Ministrja Xhaçka thotë se ka sinjale pozitive nga ana e Bullgarisë, pavarësisht vetos të vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut. Xhaçka shprehet se me zgjedhjet e fundit në Bullgari, është premtuar një qasje tjetër për të rregulluar marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

“Unë do të doja të thoja që e vërteta është se pas zgjedhjeve të fundit, Bullgaria ka një qasje më progresiste sa i takon ngërçit me Maqedoninë e Veriut. Pas zgjedhjeve të fundit, kanë qenë pro rregullimit të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut. Kanë qenë sinjale pozitive por jemi në kushtet e një realiteti në zhvillim si në çështjen e presidentit por dhe koalicionit, ndaj është herët të themi nëse do të duhet të ketë një shkëputje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. I gjithë rajoni ka një perspektivë anëtarësimi. Që nga samiti i Selanikut në 2003, por duhet ekuilibër dhe reciprocitet. Procesi i transformimit në vendet tona po vazhdon. Interesi për procesi që të vazhdojë, është reciprok. Siç e thotë dhe ministri austriak, BE dhe Ballkanin Perëndimor nuk i lidh vetëm afërsia gjeografike por dhe historia e kultura” – tha Xhaçka.