Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri me dije se qeveria ka miratuar një marrëveshje që do të nënshkruhet të premten, sipas së cilës shtetasit nga Kosova do të marrin leje qëndrimi me afat 5-vjeçar me një aplikim dhe pa dokumente.
Ministri i Brendshëm mohoi raportimet për ndërtimin e një kampi refugjatësh në Shqipëri, duke sqaruar se bëhet fjalë për kalime tranzit të azilantëve për të cilët do përgjigjen vendet e origjinës.
“Sot miratuam një nga marrëveshjet që do nënshkruajmë ditën e premte në mbledhjen e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës, që do marrin me një aplikim dhe pa dokumenta, menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri. Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që do marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura shumë më të lehtësuara se sot”, tha Çuçi.
A do ketë një kamp refugjatësh në Shqipëri?
Çuçi: Besoj është bërë shumë e qartë, nuk do ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri. Edhe kur kalojnë tranzit nuk do qëndrojnë në Shqipëri, por janë të detyruar vendet e origjinës që të përgjigjen për ata azilantë.