MENU
klinika

Si pritet të ndryshojë skema e kontributeve në fshat?

Nga bonusi tek indeksimi, kreu i ISSH, Hado: Ja sa do të rriten pensionet!

11.11.2021 - 18:43

Dy janë shtesat që pensionistët do të përfitojnë vitin e ardhshëm, indeksimi dhe bonusi me rastin e festave të fundvitit.

Indeksimi bëhet bazuar në normën e inflacionit dhe rritja e aplikuar në masën e pensionit varion mesatarisht nga 2.5 deri në 3 për qind. Por, për shkak të rritjes së çmimeve që kanë pësuar produktet e shportës, për vitin 2022 inflacioni pritet të jetë dyfish më i lartë.

HADO

Kreu i ISSH-së, Astrit Hado, tha se nëse do të ketë një rritje të lehtë të inflacionit atëherë diferenca do të mbulohet nga buxheti i Sigurimeve Shoqërore, por nëse rritja do të jetë e madhe atëherë ajo nuk do të mund të mbulohet dot nga ISSH-ja. Gjatë seancës dëgjimore, dje në Kuvend, Hado u ndal edhe në shpërblimin që pensionistët përfitojnë me rastin e festave të fundvitit, duke vënë në dukje se prej vitit 2022, fondi për bonusin do të jetë zë më vete në buxhet.

“Risi në raport më vitet e tjera është fakti që bonusi me rastin e festave është zë më vete në buxhet, pra është kthyer në detyrim ligjor dhe kjo është reflektuar edhe në buxhetin për vitin e ardhshëm. Për sa i përket parashikimit në buxhetin e 2022-shit për indeksimin e pensioneve, në ligj është e përcaktuar qartë që pensionet e caktuara dhe që paguhen janë vetëm subjekt i indeksimit.

Ajo që është bërë është që është përcaktuar një indeks i veçantë për pensionistët dhe nuk indeksohen me inflacionin e përgjithshëm, por indeksohen me inflacionin e një shporte të caktuar mallrash dhe shërbimesh që janë gjerësisht që përdoren nga pensionistët. Gjatë të gjitha viteve të fundit indeksi i veçantë për pensionistët ka qenë më i lartë se inflacioni i përgjithshëm. Që do të thotë që nëse rritet çmimi i energjisë dhe i bukës, rritet dhe indeksi i inflacionit për pensionistët. Në rast se do të ketë një shtim të inflacionit këto muajt e fundit, sigurisht do të reflektohet në indeksin që do të prodhohet nga INSTAT. Parashikimi është bërë për një indeks inflacioni, i cili është plus minus siç ka qenë inflacioni i vitit 2021.

Nëse do të ketë rritje të menjëhershme të inflacionit, brenda buxhetit të sigurimeve ka hapësira për ta përballuar një indeks më të madh. Është e pamundur të përballohet nëse ka një rritje nga 2.8 në 6, pasi është e pamundur ta përballojë buxheti aktual, por nëse ka një rritje nga 2.8 në 3, kjo është e mundur për t’u përballuar nga buxheti i Sigurimeve Shoqërore”, tha Hado.

INDEKSIMI E BONUSI

Gjithsej janë 61 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë për indeksimin dhe çekun e fundvitit. Përmes politikës së përvitshme të indeksimit, pensionet do të njohin rritje e cila varion nga 240 lekë për pensionet e ulëta deri në 700 lekë për ato maksimale. Shtesa e re do të nis të aplikohet duke filluar nga muaji prill, çka do të thotë se deri në dhjetor përfitimi për pensionistët do të jetë nga 1400 lekë deri në 5600 lekë. Për të përballuar efektet e kësaj rritjeje janë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 2.6 miliardë lekë ose rreth 26 milionë dollarë. Por, ky nuk është i vetmi përfitim.

Në fundvit, pensionistët do të marrin po ashtu edhe çekun në vlerën e 5 mijë lekëve, për të cilin fondi i planifikuar është rreth 35 milionë dollarë. Veç atyre që trajtohen me pension pleqërie nga kjo skemë do të përfitojnë edhe ata që trajtohen me pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social. Po ashtu, punonjësit nëntokës, ish-ushtarakët, si edhe veteranët.

KONTRIBUTET

Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, kreu i ISSH-së u ndal dhe në skemën aktuale të kontributeve që derdhen nga të vetëpunësuarit në fshat dhe ata në qytet. Fermerët sot paguajnë shumë herë me pak kontribute në raport me të vetëpunësuarit në qytet, megjithatë pensioni që caktohet është i njëjtë, kjo pasi diferenca apo pjesa që nuk paguhet nga fermeri mbulohet nga buxheti i shtetit. Ligji i ndryshuar, vuri në dukje Hado parashikon unifikimin e vlerës së kontributeve për efekt pensioni si për të vetëpunëusarit në fshat ashtu edhe në qytetet, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Të ardhurat kontributive që mblidhen nga të vetëpunësuarit në bujqësi janë të ulëta dhe përbëjnë gjysmën e deficitit të skemës së sigurimeve. Kur llogaritet pensioni, diferenca mbulohet nga shteti. Që prej 2015-ës është përcaktuar në ligj që masa e kontributit të fermerit të përcaktohet me vendim qeverie, madje të barazohet niveli i kontributeve mes të vëtëpuënsuarve në bujqësi dhe të vetëpunësuarve në qytetet në 2018 por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, shtoi Hado, teksa hoqi çdo mundësi për amnisti për blerjen e periudhave kontributive për efekt pensioni.