Familjarë dhe të afërm të 8-vjeçarit të vrarë Mateo Vasia mësynë gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Fierit, duke u futur në ambientet e brendshme të saj dhe duke dëmtuar çfarë gjetën përpara.
Ata prisnin që në seancë të shfaqej autori i vrasjes makabre dhe fqinji i tyre, Klodian Çalamani, në mënyrë që të përballeshin me të. Për të lehtësuar situatën, përveç shtyrjes së seancës, Gjykata vendosi që në ambientet e saj të mos ishte i pranishëm autori i krimit të rëndë. Vendimi për lënien në burg të Klodian Çalamanit nuk ka qetësuar familjarët dhe qytetarët e Fierit. Pas seancës gjyqësore, njëzëri ata kanë bërë thirrje për dënimin me varje për 38-vjeçarin.
Madje banorët ndërmorën një nismë për të mbledhur firma ku kërkojnë dënimin me vdekje për Klodian Çalamanin. Familjarët kanë kontrolluar çdo furgon Policie që shkonte drejt Gjykatës me shpresën se do të gjenin brenda tij 37-vjeçarin. Në protestë ishte i pranishëm edhe vëllai i të ndjerit, i cili kapërceu derën e jashtme të Gjykatës. Forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë, duke e marrë atë dhe duke e çuar vetë te furgoni për t’i treguar se brenda tij nuk ndodhej Klodian Çalamani.
E ËMA: DO TË MARR HAK
Në ambientet e jashtme të Gjykatës ishte e pranishme edhe e ëma e Mateos fatkeq, e cila tha se do të vazhdonte betejën e saj, duke kërkuar dënim me vdekje për autorin. “Kërkoj varjen e atij maskarai, jam e ëma e atij djali, më iku fëmija, iu pre ëndrra në gjysmë. Kërkoj varjen në mes të Fierit, ma sillni këtu, duam drejtësi.
Na gënjeu. Na mashtroi. I tha do iki te shtëpia se kam vëllanë sëmurë, ma groposi. E groposi dhe bënte sikur nuk kishte ndodhur gjë. ‘Ku është Mato?!’. Dua ta djegin tani në mes të Fierit dhe të jem e ngopur dhe t’i them çunit ta mora hakun, si mama. Përditë këtu do të jemi, nuk ndahemi”, thotë ajo. Më pas, familjarët dhe qytetarët filluan marshimin në rrugët e Fierit në shenjë proteste ku kërkojnë drejtësi për vogëlushin Mateo Vasiu. Vëllai i vogëlushit 8-vjeçar që u vra në mënyrë mizore nga Klodian Çalamani, tek sa ka folur për emisionin “Me zemër të hapur”, ka kërkuar dënimin ekstrem për autorin që i mori jetën të miturit.
“Ça të them, dua që të kthehet dënimi me vdekje, dua që të varet këtu vetëm këtë dua”, u shpreh ai për gazetaren. Vëllai, në gjendje të rënduar emocionale, pa mundur të flasë me shumë detaje, ka treguar me pak fjali për ditën e fundit të jetës së Mateos. “Po e kërkova në çdo vend, vajta mora biçikletën e atij monstrës te shtëpia të kërkoja vëllanë, po ku ta dija unë që vëllanë tim e kishte ai, ku ta dija unë që vëllanë tim e kishte vrarë ai? Në orën 9 e pashë për herë të fundit, pastaj po haja bukë e dola ta kërkoja më vonë”, rrëfeu vëllai i të ndjerit.
PETICIONI
Banorë të shumtë të qytetit të Fierit u janë bashkuar familjarëve, duke nënshkruar edhe një peticion që kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje në vendin tonë, ligj i shfuqizuar me ardhjen e pluralizmit, ndërkohë që Bashkimi Europian e ka kusht heqjen e tij. Të revoltuar, qytetarët kërkojnë varjen e Klodian Çalamanit në qendër të Fierit, duke pretenduar se vetëm me një akt të tillë, krime të tilla do të parandalohen.
“Jemi shumë të indinjuar. Ndihemi të pambrojtur. Unë kam 12 nipër dhe mbesa, ku është ligji t’i mbrojë ata. Po nuk pati varje, nuk bëhet. Të varen nja dy-tre veta dhe pastaj ta shohin këta. Se i blejnë gjykatat me lekë”, u shpreh një nga qytetarët.
“Të ngrihet populli i Fierit dhe ta dënojnë jo me varje, por me kazmë dhe lopatë, ashtu siç vrau ai djalin e vogël 8-vjeçar. Jo ta çojnë në burg të hajë supë me mish, duhet vrarë, siç vrau”, tha një tjetër. Përveç qytetit të Fierit, peticion është zhvilluar edhe në qytetin e Beratit dhe në qytetin e Vlorës.
Babai rrëfen momentet e tmerrit: Klodian Çalamani nuk shfaqte asnjë lloj emocioni
Ligor Vasiu, babai i 8-vjeçarit Mateo Vasiu, i vrarë gjatë së martës, tregoi se si e ka gjetur djalin e tij në shtëpinë e autorit Klodian Çalamani. Në një prononcim për mediat, ai thotë se ka shkuar në Polici për të bërë denoncimin.
Sipas tij, kur Policia mbërriti në shtëpinë e familjes Vasiu, erdhi edhe Klodian Çalamani dhe pyeste nëse e gjetët djalin. Ligor Vasiu tregon se autori nuk shfaqte asnjë lloj emocioni.
Më pas, Policia ka hapur kamerat e sigurisë dhe ka parë që vogëlushi ka shkuar për t’i çuar bukën Klodian Çalamanit, por nuk u kthye.
“Unë si prind dua të ma sjellin këtu të ma varin. Nuk di se çfarë të them. Jam shumë i rënduar. Unë dua vetëm drejtësi për Mateon. Sot është fëmija im, nesër do jetë fëmija i një personi tjetër. Unë kërkoja me gjithë nusen. Vajta në Polici. Kur vajti Policia te shtëpia, erdhi dhe ai dhe na pyeste a e gjete fëmijën. Unë i thashë ‘Ik o Klodi’, ai filloi me të sharat. Hapëm kamerat dhe pamë se djali i vogël po i shkonte në shtëpi dhe po i çonte bukën. Ishte shumë i qetë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vajtëm te shtëpia e tij, pamë biçikletën. Policia nuk më futi brenda. Nuk më mbante më vendi. Nuk kam bërë gjë thoshte. Kur e zbuloi Policia dhe gjeti çunin. Kur më ka ardhur çuni. Nuk flas dot, ishte çuni i çarë në kokë. Nusja vajti atje. Mua nuk më linte Policia. Ai do ta bëjë, derisa bëri fëmijën tim, do bënte dhe për një fëmijë tjetër. Jo, nuk kishte marrëdhënie me fëmijën”, tregoi babai i Mateos.