MENU
klinika

U largua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Posti i rëndësishëm që merr në qeveri Ardi Veliu

10.11.2021 - 11:18

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është emëruar në postin e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ardi Veliu u lirua nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në 5 tetor të këtij viti, pas disa ngjarjeve të rënda kriminale. Me anë të një letre që u bë publike nga kryeministri Rama, Veliu tregonte arsyet e largimit, ku kryesorja ishte përkushtimi i familjes.

“Por ne këto moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë ne një moshë delikate e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite”, argumenton Veliu.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit rendit edhe sukseset në këtë post, duke u shprehur se ka bërë më të mirën duke menaxhuar situata të vështira.

“Për mua ka qene një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit ne një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrfikikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap me të mirën time dhe te forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit te organizuar e atij te rrugës, flukset e emigranteve apo dhe tubimet shpeshherë të dhunshme”, thote Veliu ne letren drejtuar Rames.

Ndersa nga ana e tij kryeministri Rama tha: “Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer”.

Ardi Veliu u emërua në krye të Policisë së Shtetit pas shkarkimit të Haki Çakos në shkurt të 2018-ës.