Maxhoranca socialiste është e gatshme të mirëpresë propozimet e opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri gjatë vitit të ardhshëm. Në një deklaratë për mediat nga Elbasani, sekretari i Përgjithshëm i PS njëkohësisht drejtuesi politik i këtij qarku, Damian Gjiknuri tha se jemi të hapur për propozimet e pd për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Ne gjithmonë i kemi qenë qasjes dhe fryma e kushtetutës është të synohet një president konsensual. Do të thotë që ne do të jemi të hapur edhe për propozime që mund të vijnë nga opozita, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi hapësirë për njerëz që mund të jenë mbi palët për të gjetur një figurë konsensuale. Patjetër opozita ka një rol në këtë mes dhe këtë edhe e kryeministri e ka bërë të qartë në deklarimet e tij publike”, u shpreh Gjiknuri.
Sa i takon çështjes së reformës zgjedhore të mbetur pezull, Damian Gjiknuri u shpreh se janë të gatshëm të ulen për të adresuar të gjitha çështjet për të përmirësuar legjislacionin zgjedhor.
“Komisioni i Reformës Zgjedhore është një komision që ka një standard të ndjekur nga të gjitha palët, qoftë kur kanë qenë në opozitë qoftë në maxhorancë, që janë rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe çështje të tjera që lidhen me amendime të kodit zgjedhor. Ata që kërkojnë të zgjerojnë ose nëse do të devijojmë nga ky objekt, është një devijim i gjithë traditës të krijuar deri më tani të komisionit mbi partizan të reformës zgjedhore. Jemi të gatshëm të ulemi në Komisionin e Reformës Zgjedhore për të adresuar të gjithë çështjet e mbetura apo çështje të tjera që mund të dalin për të përmirësuar legjislacionin zgjedhor”, tha Gjiknuri.
Pyetjes së gazetarëve se si e komenton deklaratën e ish kryeministrit Sali Berisha për t’u rikthyer sërish si kryeministër, Gjiknuri iu përgjigj se kjo është një luftë e brendshme e PD dhe se me Partinë Socialistë ata do të përballen pas 4 vitesh për këtë. Këto deklarata Damian Gjiknuri i bëri pas ceremonisë përkujtimore për çlirimin e Elbasanit, ku ai u shfaq në krah të ish drejtuesit politik të qarkut dhe ish numrit dy të PS, Taulant Balla.