Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë projekt Buxhetin për vitin 2022. Ibrahimaj pohoi se në këtë buxhet, 1 miliard lekë janë garanci sovrane për turizmin.
Ndër të tjera Ibrahimaj tha se sipas parashikimeve do të ketë rritje ekonomike 4.1 në vitin 2022. Sipas saj, fiskalizimi do të japë rezultate në këtë aspekt.
“Për vitin 2021 presim rritje 7.6% dhe në vitin që vjen mbi 4%. Produkti i Brendshëm Bruto për banor në vitin 2013 ka qenë në vlerën 466 mijë lekë, shkoi 568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që të jetë 661 mijë lekë për banor në vitin 2022. 563.8 miliardë lekë pritet që të jenë të ardhurat e vitit 2022. Në vitin 2013, paga minimale ka qenë 22 mijë lekë dhe tani është 30 mijë lekë. Paga mesatare 45 mijë 961 lekë në tremujorin e parë të 2014, ka arritur në 56 mijë e 710 lekë në fund të këtij viti.
Për të mbështetur rritjen e mëtejshme ekonomike, ne prezantojmë pr/buxhetin 2022 që është buxheti më i madh në histori. Ky dokument fokusohet tek vijimi i reformave për rritje ekonomike dhe punësim, mbështetja e shtresave në nevojë, rritja e produktivitetit, forcimi i shtetit ligjor, digjitalizimi i ekonomisë, dhe projektet në infrastrukturë. Konsumi do rritet me 2.6% në vit, dhe do kontribuojë me 2.4% në rritjen ekonomike, dhe investimet do rriten 5.5% në vitet 2022-2024 duke kontribuar me 1.4% në vitet që vijnë. “Do ketë 1 miliardë lekë garanci sovrane për turizmin dhe 500 milionë lekë për pastrimin e mjedisit. Do ketë dhe një garanci sovrane 1 miliardë lekë për manifakturën. Do të jepen 250 milionë lekë për start up! 27.45 miliardë lekë do të jepen për pushtetin vendor”, tha ministrja.
“Fiskalizimi pritet të rrisë të ardhurat. Kemi parashikuar rritje natyrale të të ardhurave si pasojë e rritjes ekonomike. Janë të parashikuara edhe efektet e paketës fiskale. Politikat e investimeve publike, ne presim që të vijojnë investimet që kanë filluar gjatë viteve të kaluara, sa i takon rrugëve dhe ujësjellësave. Këtë vit rritja ka ardhur si pasojë e rritjes në të gjithë sektorët, përveç bujqësisë. Kemi pasur rritje të konsumit, por edhe të investimeve. Parashikimet për vitin 2022 deri në 2025 janë të bazuara në strukturën e ekonomisë shqiptare. Këto parashikime janë në linjë me FMN dhe BSH,” shtoi ministrja.