MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Pse kemi marrje mendsh?

21.11.2021 - 11:05

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Pse kemi marramendje?

Mjeku: Marramendja apo sindromi vertiginoz ashtu si të gjithë e njohin dhe e specifikojnë është ndjesia e çrregullimit të orientimit në hapësirë ose e humbjes së ekuilibrit.

Mund të shoqërohet edhe me shenja klinike të tjera si:

konfuzion mendor,
nauze,
të vjella,
ndjesinë e rënies,
çrregullime të shikimit dhe lodhje.
Që ne të kemi një ekuilibër të mirë, duhet të ekzistojë një bashkëveprim i mirë midis sistemit nervor qendror dhe 3 sistemeve sensore:

sistemit vestibular të veshit të brendshëm,
sistemit visual ose pamor nëpërmjet syve, që përcakton lëvizjen dhe pozicionin në hapësirë
dhe sistemit të muskujve, kockave dhe të artikulacioneve që përcaktojnë për shembull ndjesinë e të ecurit të shpejtë ose të avashtë.
Duhet që të paktën dy nga këto sisteme të funksionojnë mirë njëherësh që ne të kemi një ekuibër të mirë. Çdo gjë në jetë funksionon mirë nëse ne arrijmë një të mesme të artë, pra nëse arrijmë një ekuilibër, e njëjta gjë vlen edhe për organizmin tonë: një komunikim jo i mirë midis trurit dhe 3 sistemeve çon në marramendje.

Pra, siç e shohim, çrregullimit e ekuilibrit të lidhura me veshin përbëjnë një pjesë të madhe, por jo të gjitha këto çrregullime.

Prishja e komunikimit midis sistemit të ekuilibrit ose vestibular të veshit të brendshëm dhe trurit çon në atake të shkurta ose të gjata të marrjes së mendve. Këtu mund të futen sëmundja e Menierit që përveç çrregullimeve të ekuilibrit shoqërohet edhe me zhurmë në vesh, rënie dëgjimi, nauze e të vjella, sëmundje infektive të veshit të brendshëm, trauma gjatë goditjeve në kokë etj.

Disa njerëz kanë çrregullime ekuilibri ndërsa udhëtojnë, ose i “zë makina”, kjo për shkak të mesazheve të gabuara që sistemi pamor i dërgon trurit, ku sytë perceptojnë një lëvizje të shpejtë, ndërsa veshi i brendshëm jo.

Në brezninë e tretë kemi me shumë çrregullime të ekuilibrit ndërsa pacientët ecin, kjo më shumë për shkak të uljes së pamjes ose sëmundjeve nervore periferike si rezultat i sëmundjeve sistemike si diabeti, hipertensioni etj. që bën që sistemi nervor të marrë një informacion të gabuar nga mjedisi dhe ta përkthejë në marrje mendsh.

Me marramendje shoqërohen edhe sëmundjet që prekim direkt trurin dhe sistemit nervor qendror si:

infarktet e trurit në krizat hipertensive
tumoret
sëmundja e Parkinsonit
skleroza multiple
epilepsia
migrena
Muajt e parë të shtatzënisë mund të shoqërohen me: marrje mendsh, një lëvizje e menjëhershme e trupit nga pozicioni shtrirë në pozicionin në këmbë, marrja e lëndëve stimulante të sistemit nervor qëndror si nikotina apo kafeina, marrja e disa medikamenteve, ndërrimi i xhamave të syzeve optike mund të japin marramendje, por janë episodet e përsëritura që duhet të na shqetësojnë dhe të na çojnë te mjeku.

Çfarë i këshillojmë pacientit që e ndien për herën e parë?

Pacienti duhet të ulet menjëherë apo të shtrihet, të ndalojë përdorimin e lëndëve stimulante si nikotina, kafeina apo duhani, të mos të drejtojë automjete apo të hipë në lartësi të mëdha.

Por nëse episodet përsëriten dhe ndikojnë në cilësinë e përditshme të jetës, nëse shoqërohen me humbje të vetëdijes apo rrëzime pa humbje vetëdijeje, nëse kemi çrregullime të dëgjimit ose të pamjes, dhimbje koke, nauze, të vjella, nëse vjen pas përdorimit të disa antibiotikëve, si: aminoglukozidet që çrregullojnë veshin e brendshëm, vizita te mjeku specialist është e domosdoshme.

Herën e parë pasi kalon nga shërbimi i urgjencës ku përcaktohen shenjat vitale tensioni, pulsi, ekzaminimi neurologjik, later temperatura, pjesa më e madhe e pacientëve kalojnë në shërbim ORL.

Një rëndësi të madhe ka historia e sëmundjes sidomos e marramendjes: kur filloi, sa zgjati, hera e parë apo jo, shenjat e tjera shoqëruese, si: nauze, të vjella, dhimbje koke, zhurmë në vesh etj.

Audiograma dhe VIDEONISTAGMOGRAFIA janë dy ekzaminimet tona më të rëndësishme për vendosjen e diagnozës që, të shoqëruara edhe me analizat laboratorike, si: gjak komplet me formulë, bilanci biokimik, përcaktimi i funksionit të gjendrës tiroide etj. na bën të vendosim një diagnozë përfundimtare. Për çdo dyshim të mundshëm mund të kërkojmë të bëjmë një rezonancë magnetike të kokës, përgjithësisht me lëndë kontrasti.

Mjekimi fillon menjëherë, kryesisht me vazodilatatorë, vitaminoterapi etj. por rëndësi ka edhe ndryshimi i dietës ushqimore, pa kripë, pa kafe, pa alkool, pa duhan dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës, futja e aktivitetit sportiv në jetën e përditshme, ulja e stresit nëpërmjet meditimit, jogës etj.

Por, duhet pasur parasysh, jo çdo çrregullim ekuilibri vjen nga veshi i brendshëm.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.