MENU
klinika

Analiza

Pse Putin nuk po përpiqet që ta shkatërrojë Perëndimin

25.11.2021 - 15:55

Nga Kadri Liik “The New York Times

Nëse do ta analizonit sjelljen e Rusisë në muajt e fundit, do të mendonit se udhëheqësit e këtij vendit janë gati që ta përçajnë Perëndimin. Në shtator, “Wagner Group”, një kompani ushtarake private me bazë në Rusi, u shfaq në shtetin afrikan të Malit, një lajm që e zemëroi shumë Francën.

Në tetor, Rusia i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me NATO-n. Këtë muaj, raportet se Rusia ka grumbulluar mbi 100.000 trupa në kufirin me Ukrainën, nxiti Shtetet e Bashkuara të paralajmëronin se një pushtim mund të ishte i pashmangshëm. Për më tepër, Rusia i qëndroi pranë aleatit të saj, presidenti bjellorus Aleksandr Lukashenko, teksa ky i fundit inskenoi një krizë emigrantësh në kufirin me Poloninë.

Në fakt, panorama është më e ndërlikuar sesa duket. Është e vërtetë që Rusia e konsideron ende Perëndimin si kundërshtarin e saj kryesor. Por politika e saj e jashtme, po udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga nevoja për të mësuar sesi të veprojë në një botë që nuk dominohet më nga Perëndimi.

Me përjashtimin e dukshëm të Ukrainës – kontrolli mbi të cilën, duket se është qëllimi tejet personal i presidentit Vladimir Putin – Kremlini po vepron me kujdes në një botë që e konsideron si në kaos dhe shumë të ndërlikuar. E megjithatë, duke e parë Rusinë si një armik të paepur, Perëndimi sheh komplot edhe aty ku mund të ketë kaos.

Edhe Moska bën shpesh një gabim të ngjashëm, duke supozuar se Perëndimi dëshiron që ta çojë drejt kolapsit. Këto perspektiva të vjetruara, të përkeqësuara nga izolimi i imponuar nga pandemia e Covid-19, janë potencialisht të rrezikshme dhe çojnë në rastin më të mirë në keqkuptime, dhe në rastin më të keq në përplasje.

Kur ekziston një kërcënim i prekshëm i përshkallëzimit të situatës, si ai në Ukrainë, është veçanërisht e rëndësishme që secila palë ta shohë tjetrën shumë qartë. Në botën e djeshme, të dominuar nga Perëndimi, gjërat ishin ndryshe. E pozicionuar kundër një kundërshtareje të vetme, Rusia e dinte se çfarë donte të arrinte, dhe si t’i vendoste qëllimet e saj.

Të gjitha idetë për t’u bashkuar me Perëndimin apo për ta shkatërruar, i përkasin periudhës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri për shembull në ngjitjen në pushtet të Xi Jinping në Kinë, presidencës së Donald Trump në SHBA dhe Brexit. Por tani për Rusinë  bota është vërtet “multipolare”, diçka jo shumë e këndshme për të.

Bota e re është aq shumë kaotike, saqë Moska duket se e konsideron të kotë thuajse çdo planifikim afatgjatë. Nëse për ish-udhëheqësit e Rusisë, “multipolariteti” ka të bëjë me “kundërshtimin e hegjemonisë perëndimore”, më tha Fyodor Lukyanov, ekspert i njohur i Rusisë, për Putin ai “ka të bëjë me menaxhimin e botës, e cila është thjesht shumë e ndërlikuar”.

Për të vepruar në këtë terren më kompleks, Rusia eksperimenton me ndërhyrjet e saj paraushtarake, e hap rrugën e saj nëpërmjet levave të ndikimit që ka në dispozicion, mbështetet tek masa të kufizuara ose të përkohshme, dhe shpesh zgjedh të bëjë më pak sesa më shumë.

Në një mënyrë apo tjetër, kjo shpjegon përfshirjen e saj në Sahel, Lindjen e Mesme dhe Kaukaz. Me siguri që në themelin e lëvizjeve të Moskës ekziston një qëllim. Por zakonisht ai nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Perëndimin. Përkundrazi, ka lidhje me përshtatjen me një botë të formësuar tani kryesisht nga konkurrenca midis Amerikës dhe Kinës.

Për të shmangur bllokimin midis të dyjave, Rusia shpreson që të ndërtojë disa mekanizma ndikimi rajonalë – në Afrikën Perëndimore, Lindjen e Mesme, Ballkan – në mënyrë që të rrisë fuqinë e saj negociuese për të ardhmen e pasigurt. (Sigurisht Perëndimi ende mund të goditet prej saj).

Për shembull, përfshirja e Rusisë në Siri mund të ketë nisur si një përpjekje për të parandaluar rënien e regjimit të Bashar Al Assad – diçka që binte në fakt ndesh me pozicionin e Perëndimit. Por këto ditë, ajo ka të bëjë me ndikimin rajonal dhe përfitimet që sjell ky i fundit.

Por edhe me statusin e një ndërmjetëseje të fuqisë globale, dhe aftësinë për ta detyruar Arabinë Saudite të marrë parasysh pikëpamjet e Rusisë kur vendos mbi kuotat e veta të prodhimit të naftës. I fokusuar në imazhin e vjetër të Rusisë si një kundërshtare dinake, Perëndimit i mungon pjesa më e madhe e këtij këndvështrimi.

Gjithsesi, leximi i gabuar i panoramës ndodh në të dyja anët: Edhe Rusia i atribuon Perëndimit motive të vjetruara. Dhe keqkuptimet më të mëdha i rezervohen Bashkimit Evropian. Ekspertët e politikës së jashtme në Moskë, kanë arritur në përfundimin se blloku u përpoq që ta përdorte aktivistin kundër korrupsionit Aleksei Navalny, si agjentin e vet për të shkatërruar sistemin politik rus.

Natyrisht, një akuzë e tillë është e gabuar. Evropa reagoi ndaj ngjarjeve që i ndodhën – duke i dhënë Navalny-t të helmuar në gushtin e vitit të kaluar, trajtim mjekësor dhe duke shprehur pakënaqësinë e saj pas arrestimit që iu bë menjëherë pasi ai u kthye në Rusi – në të vetmen mënyrë të mundshme.

Ose merrni vizitën që zhvilloi në Moskë Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, në fillim të muajit shkurt. Pas arrestimit të Navalny, shumëkush në Moskë e interpretoi atë vizitë si atë të evropianit të radhës, që vinte për t’i dhënë leksione Rusisë se si të organizojë jetën e saj të brendshme.

Në realitet, vizita e zotit Borrell u nxit nga një prirje e kundërt e të menduarit në Evropë, sipas të cilit blloku duhet ta pranojë Rusinë ashtu siç është, dhe të synojë të bashkëpunojë aty ku është e mundur. Por pavarësisht kësaj, mbeti përshtypja e parë. Në Moskë, Bashkimi Evropian shihet gati si një fuqi armiqësore me të cilën është e pamundur të gjendet gjuha e përbashkët.

Për momentin, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është më pak e shtrembëruar. Presidenti Biden ka arritur ta bindë Moskën se ai e zgjedh me zgjuarsi luftën e tij, është i përmbajtur nga përpjekjet për ta ndryshuar Rusinë, dhe fokusohet në fusha si stabiliteti strategjik, ku mbivendosjet e interesave lejojnë ndjekjen e disa qëllimeve të përbashkëta.

Në një konferencë të fundit për mediat, Putin foli përzemërsisht si për bisedimet e nisura pas samitit të Gjenevës në qershor, po ashtu edhe për Biden personalisht. Por edhe kjo marrëdhënie nuk është e lirë nga keqinterpretimet. Dhe më e rrezikshmja prej tyre sillet sërish rreth Ukrainës.

Disa zyrtarë në Moskë kanë frikë se Shtetet e Bashkuara mund të ndërtojnë një bazë ushtarake në Ukrainë, apo ta inkurajojnë këtë të fundit të rimarrë me forcë zonat e pushtuara nga Rusia në rajonin lindor Donbas. Të tjerë shpresojnë që Biden, i cili ka nevojë që Rusia të frenojë Kinën, do ta ndihmojë Rusinë të arrijë synimet e saj në Ukrainë, ose duke i bërë presion presidentit Volodymyr Zelensky që ta lejojë Moskën të ketë ndikim mbi vendimmarrjen e ardhshme të vendit, ose akoma më mirë, duke shpallur zyrtarisht të mbyllur derën e NATO-s për vende si Ukraina.

Këto shpresa dhe frikëra qëndrojnë me siguri edhe pas lëvizjeve aktuale të trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës. Leximet e gabuara të situatave janë shumë të rrezikshme. Edhe pse larg krizës së viteve 2014-2016, kur marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë ishin veçanërisht të rrezikshme, tensionet mbeten aty.

Keqinformimi, lufta kibernetike dhe ndërhyrja në zgjedhje, kanë kontribuar në një atmosferë dyshimi në rritje. Dhe me Ukrainën, për të cilën Kremlini ka emocione të forta, pritshmëritë jorealiste dhe frikërat irracionale, janë një arsye reale për t’u alarmuar.

Kjo e bën edhe më vendimtar leximin e saktë të qëllimeve. Në rast se të dyja palët mund ta shohin njëra-tjetrën me një sy të kujdesshëm, do të ishte i mundur një bashkëpunim i kufizuar dhe dhënia e mesazheve efektive. Alternativa as që ia vlen të mendohet.