MENU
klinika

Çfarë ndodhi dje gjatë seancës plenare

Qeveria merr borxh 770 milionë euro, përplasjet në Kuvend!

09.11.2021 - 10:37

Dje qeveria zyrtarizoi në Kuvend kërkesën e saj për të marrë borxhin e prej 770 milionë eurosh për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rritja e çmimeve dhe eurobondi për ndihmën ndaj OSSHE-së. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama u përplasën sërish për borxhin, përpara se maxhorana të miratonte me 74 vota pro, kundrejt 49 kundër ndryshimet në buxhetin e vitit 2021.

Kryetari i PD-së deklaroi se efektet e nismës për vetingun në politikë kanë nisur, pasi sipas tij, ata që kanë të njëjtin hall po bëjnë aleanca, por i siguroi se shumica aktuale do të kthehet në pakicë. Kryedemokrati po ashtu sulmoi maxhorancën për rritjen e borxhit publik, duke u shprehur se është qeveria që ka marrë më shumë borxhe, por që sipas tij, në fakt i ka përdorur për një grusht njerëzish. Basha u shpreh se për të kuptuar prioritet e kësaj qeveria që mburret me borxhe mjafton që të shohim që në 2022-shin do të ketë 7 koncesione me PPP.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama ironizoi kryedemokratin dhe situatën në PD, duke u shprehur se sot ajo është formalizuar një zog dykrenor, por nuk e krahasoi me Shqiponjën. Për sa i përket marrjes së borxhit, Rama tha se ai do t’i shërbejë rritjes ekonomike, ndryshe nga borxhet që merrte PD kur ishte në pushtet përpara 2013-ës, të cilët i akuzoi se i merrnin me interes mjaft të lartë.

Debate dhe përplasje mes Ramës dhe deputetëve demokratë shkaktoi edhe “Akademia e barinjve”, të cilën Kryeministri e mbrojti duke e cilësuar si mundësi për shumë të rinj dhe krahasuar edhe me profesione të tjera. Nga ana e tyre, deputet ironizuan edhe profesionin e kreut të qeverisë, duke thënë se ai di të bëjë vetëm zhgarravina.

DEBATI

Lulzim Basha: Zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët është vetingu në politikë. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që iu ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër. Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Prandaj kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth. Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute, janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën. Çdo politikan duhet të dalë hapur para qytetarëve, nëse nuk e voton ligjin, përse nuk e voton ligjin, apo njësoj si derrat e “Fermës së Kafshëve”. Por asnjë nga derrat e kënaqur nuk do të na ndalë, sepse do të veprojmë njësoj si me dekriminalizimin. Që Parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve e jo duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonët në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare.

Edi Rama: Kur flisni ju për ato që flisni është vërtetë për t’u admiruar guximi me të cilin ju harroni se nuk keni ardhur nga hëna dhe nuk keni zbritur në Shqipëri kur filloi kjo legjislaturë. Protagonistët e qeverisjes së deridjeshme sot i keni kryer. Në të dy krerët e zogut që po përpëlitet. Sot është formalizuar që PD është një zog dykrenor, por jo shqiponjë. Nuk jam i qartë se cilës specie do t’i ngjani në fund të kësaj kacafytje, por Shqiponjës jo. Kështu që vazhdoni thajini njerëzve, do t’ua thoni prapë se është edhe çështje incizimi. Për deri kur pllaka nuk ndërrohet do të përsërisni po atë këngë e vazhdon festivali i (jo këtë nuk e kam thënë këtë, se ti më ndjek me vëmendje dhe më regjistron bile, kështu që verifiko kasetat). Që nga festivali i parë i 2013-ës, deri më tani ju keni të njëjtën muzikë. Up date-oni muzikën. Keni dhe upload-ues këtu. Fusni ca gjëra të reja se nuk shkon kështu.

Lulzim Basha: Në 8 vite, edhe pse ka rritur taksat, Edi Rama ka marrë miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë së bashku, nga 1991 deri në 2013-ën. Po ku shkuan këto miliarda euro borxh? Përgjigjja është e thjeshtë. Në këtë shtet të cilësuar si i kapur nga korrupsioni nga “Transparency International”, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e rendit si vendin më të korruptuar në rajon dhe në Europë, këto miliarda euro borxh të marra në emër të shqiptarëve shkuan për një grusht të vogël njerëzish, të lidhur ngushtë me këtë që është ulur këtu mbrapa, që e mjelin shtetin e shqiptarëve si doktorë shkencash, edhe pse nuk kanë diplomë nga akademia e barinjve me të cilën tallen për të mbuluar dështimin në sektorin e bujqësisë. Mjafton t’i hedhim një sy projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, ku duket qartë se cilat janë prioritetet e tyre.

Edi Rama: Këtu u fol, çfarë nuk u tha, por e vërteta është që kur përsërisni atë borxhin 80%, borxhin më të lartë në histori, duke u përpjekur t’u thoni njerëzve që këtu ka vetëm marrje borxhi dhe ka një situatë që ka dalë jashtë kontrollit. Sot është e vërtetë, është më i lartë se 74%, por ka një pse dhe pse-ja lidhet me faktin që midis momentit kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rënda që kanë krijuar nevojën imediate për të marrë borxh: tërmeti dhe pandemia. Borxhi që ju u latë shqiptarëve dhe Shqipërisë kur ata ju larguan nga detyra ishte 74% dhe nuk kishte as pandemi, nuk kishte as tërmet, por qoftë tërmeti, qoftë epidemia, ishin të një forme tjetër tërmeti në themelet e qeverisjes suaj, e pandemia në praktikën e përditshme të saj. Shifrat nuk janë opinione. Ju e keni opinion aritmetikën, kjo dihet botërisht, ne nuk e kemi opinion.

Lulzim Basha: Por 2 miliardë euro për 7 kontrata të reja me PPP tregojnë qartë se prioritet kanë përdorimin e pacipët të parave të familjeve shqiptare në shërbim të klientëve të tyre. Prandaj, kur e pyesin për largimin e shqiptarëve, ngre supet, sepse atë karrige e mban me dhe për një grusht të vogël oligarkësh. Ndaj edhe sot, kur PPP-të zënë gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, sipas FMN-së, me borxhin publik më të lartë të historisë, përgjigjja e këtij që ulet prapa për çmimet e rritura, për konsumin dhe të ardhurat për frymë më të ulëta në Europë është si ajo për largimin e shqiptarëve: një ngritje supesh. U mjafton që zinxhiri i interesave që lidh politikanët e korruptuar dhe oligarkët të vazhdojë të qarkullojë miliarda euro, e t’i pastrojë ato në parajsat fiskale, pa shqetësimin më të vogël se kjo rrotë e dhjamosur nga babëzia e pafre po rrokullis drejt humnerës ekonomike shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare. Pak problem është për ta se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve, pra e pjesës më të gjallë dhe të kualifikuar të shoqërisë. Sepse hallet e tyre nuk janë hallet e qytetarëve, por koncesionet dhe PPP-të.

Edi Rama: Profesori këtu tha: “E keni marrë eurobondin me interes të lartë”. E dini sa e keni marrë ju eurobondin e fundit? Me 12%. Verifikoje! Keni hyrë për 7.5 dhe ka fluktuar 12%. Nuk flas me ato tabelat që vini ju këtu. Se ju aty e keni, “ça të kapim”. Keni dhe kaq vite që nuk kapni gjë dhe ngaqë ishit mësuar keq, ngaqë ju është bërë syri bakër dhe shikoni kudo ça po bëhet. Nuk po ndodh ajo që ndodhte kur ishit ju, por ju keni të drejtë që t’iu duket ashtu, se ju atë bënit. Dhe ne, në kohë pandemie, e kemi marrë me 3.5 eurobondin e fundit, në kohë pandemie. Tregjet e kapitaleve nuk e njohin Edi Ramën, nuk dëgjojnë as foltoren. Nuk e njohin fare majtas, djathtas, PS, PD, fare. Tregjet e kapitaleve njohin vetëm shifrat dhe punojnë vetëm me kalkulator. Edhe diçka tjetër për profesorin. Ju merrnit borxh me interesa më të larta dhe për 1 lek borxh ju investonit 1.28 lekë, për 1 lek borxh! Ne për 1 lek borxh investojmë 1.69 lekë.

Taulant Balla: Kur Lulzim Basha dhe ai kolegu që ulej këtu dhe ulet në fund të sallës ishin në qeveri, buxheti i këtij vendi ishte 3.35 mld dollarë. Sot Shqipëria bëhet gati të miratojë një buxhet prej 6.37 mld dollarësh, ose dyfish më shumë se sa miratuat ju në qeverinë e fundit. Po i shmangem atij kurthit që dikush hedh një gurë dhe të gjithë shkojnë ta nxjerrin. Nëse propozimet tuaja kanë pak vlerë, sigurisht që do t’i marrim në shqyrtim. Kur ta gjeni rrugën tuaj ku jeni majtas ose djathtas jemi të gatshëm të diskutojmë me ju për programet e qeverisjes. Kohë keni boll. Filloni bëhuni gati për 2029-ën pasi 2025-a kështu si jeni, iku dhe ajo.

Arbi Agalliu: Ça profesori?

Ervin Salianji: Normal se ti profesor di vetëm akademinë e barinjve.

Edi Rama: Cilën akademi? Të flas dhe për atë unë, mos ki merak. Patjetër! Të flas dhe për atë që ju ka mbetur mendja tek akademia e barinjve, e çobaneve, siç thoni ju.

Ervin Salianji: Patjetër ti je iluminist i madh, babai i kombit.

Edi Rama: Unë jam thjesht një piktor, por për shkak të detyrës, unë mësoj çdo ditë, dëgjoj me shumë vëmendje dhe nuk qesh kur flas vetë, por maksimumi flas që të qeshin të tjerët.

Gazment Bardhi: Ti je zhgarravitës. Edi Rama: Edhe zhgarravis, po. Edhe zhgarravis dhe nuk ka asnjë problem. Çfarë problemi ke ti me zhgarravinat?

Ervin Salianji: Zhgarravinat janë gjëja më e mirë që ke bërë në jetë. E ke përsëritur 100 herë këtë.

Edi Rama: Ti duhet të shqetësohesh për imazhin e zhgarravinës që i jep publikut, jo për zhgarravinat që kanë jetën e tyre. Jeta e tyre fillon dhe mbaron te një copë letër.

Ervin Salianji: Duam të të fshijmë fare në fakt. E ke iluzion këtë se ne duam të të fshijmë. Je përsëritës, je bërë i lodhshëm. Unë dua të të fshij fare.

Edi Rama: Kjo duhet të shqetësojë, jo ty personalisht, mos u bëni si censura e Komitetit të Partisë së dikurshme. Nuk ju kemi zgjedhur ne, ju kanë zgjedhur të tjerët, kemi detyrë t’iu respektojmë dhe t’iu përqafojmë sa herë të kemi mundësi për t’iu dhënë pak dashuri.

Edi Rama: Vetëm për poezinë s’ka akademi.

Flutura Açka: Mos u merr me ne!

Edi Rama: Me kë të merrem po nuk u mora me ju. Juve ju kemi!

Flutura Açka: Meqë e zuri me gojë zoti Kryeministër poezinë time, nuk është, por të lutem përcilljani pak, unë asnjëherë sa të jem në këtë sallë, askënd nga kolegët e mi, qoftë edhe Kryeministrin, nuk do ta diskutoj për profesionin e tij kudo ta ketë atë profesion. Dua të flasë këtu si institucion, kështu që më vjen keq që Kryeministri merret me gjëra personale. Ky është ndryshimi mes meje dhe teje. Dhe nëse ai po rropatet për të hyrë në histori si politikan, unë atë detyrë me veten time, me profesionin tim e kam mbaruar zonjë. Përcilljani ju lutem. Dhe nuk ma heq dot asnjë zhgarravinë e tij këtë gjë.

Grida Duma: Vetëpërmbajtja nis me ju, znj. Nikolla. Nëse ju do të vijoni në këtë model, ta trajtoni Kryeministrin si eprorin tuaj dhe të jeni vartëse, ky është një model që duhet të mbarojë dhe do t’u tërheqë vëmendjen, njerëzisht, profesionalisht, dhe juve si grua. Që t’u drejtohet deputetëve të opozitës me emër të profesionit, duke nënkuptuar përçmimin e tij, duhet që t’i ndaloni fjalën. Duhet që të ndalohet fjala e tij sa herë të drejtohet me përçmim.