MENU
klinika

"Është kthyer në një zonë të zymtë ku po klith e shkuara!"

Rama flet për zhvillimet e PD-së: Fatkeqësi në zhvillim e sipër

06.11.2021 - 20:50

“Një fatkeqësi në zhvillim e sipër në Partinë Demokratike që vërtetë të lë një shije të hidhur sepse katandisja e një partie që lindi si forca e re e shpresës dhe të së ardhmes në një zonë të zymtë ku klith e shkuara është vërtetë për të ardhur keq dhe ka në vetvete një shëmti të madhe”- kështu shprehet kryeministri Edi Rama, ndërsa komenton në emisionin ‘Kjo javë’, zhvillimet në Partinë Demokratike.

Sa i takon bashkëpunimit me opozitën, Rama tha qasja e tij e re me opozitën nuk është një qasje që lidhet me një person apo me një grup personash.

“Qasja ime e re me opozitën nuk është një qasje që lidhet me një person apo me një grup personash. Është një qasje që lidhet me domosdoshmërinë që kultura politike në Shqipëri të lehtësohet nga barra e rëndë e të shkuarës nga pesha e rëndë e baltës që e ka karakterizuar në tërësi jetën tonë politike dhe bashkëjetesën tonë politke. Kështu që nuk shoh pse duhet ta kemi këtë dilemë. Është çështja e tyre se kush zgjidhet, kush nuk zgjidhet.”- theksoi Rama.

Pjesë nga intervista:

Jeni shprehur për një frymë të re bashkëpunimi me opozitës në këtë mandat. A qëndron kjo ofertë nëse zhvillimet e brendshme të PD do të cojnë në një lidership të ri?

Kreun e Partisë Demokratike e zgjedhin anëtarët e PD, forumet e PD. Nuk e zgjedh unë, nuk e zgjedh Partia Socialiste. Nëse do të ishim ne që do zgjidhnim sigurisht asnjëri nga këta janë apo pretendojnë të bëhen, nuk do të ishin të denjë për Partinë Demokratike sepse nuk janë në fakt për historinë dhe antarësinë e shëndetshme të PD-së. Qasja ime e re me opozitën nuk është një qasje që lidhet me një person apo me një grup personash. Është një qasje që lidhet me domosdoshmërinë që kultura politike në Shqipëri të lehtësohet nga barra e rëndë e të shkuarës nga pesha e rëndë e baltës që e ka karakterizuar në tërësi jetën tonë politike dhe bashkëjetesën tonë politke. Kështu që nuk shoh pse duhet ta kemi këtë dilemë. Është çështja e tyre se kush zgjidhet, kush nuk zgjidhet.

Do të ishte e njëjta ofertë për të bashkëpunuar edhe nëse Berisha merr PD?

Edhe njëherë, nuk është çështje personash. E para kjo, dhe e dyta nuk dua të komentoj për këtë. Për mua është një fatkeqësi në zhvillim e sipër në Partinë Demokratike që vërtetë të lë një shije të hidhur sepse katandisja e një partie që lindi si forca e re e shpresës dhe të së ardhmes në një zonë të zymtë ku klith e shkuara është vërtetë për të ardhur keq dhe ka në vetvete një shëmti të madhe. Janë gjëra që ndodhin për fat të keq.

Sa komod ndiheni përballë kësaj opozite?

Sa më sfiduese të jetë opozita, aq më e mirë është qeveria. Këtu nuk ka ndonjë gjë për shkencë. Është elementare. Ne natyrisht kemi patur fatkeqësinë të kemi qenë të sfiduar nga një opozitë e dhunshme, nga nje opozitë muskujsh dhe agresionesh që kanë lidhje më shumë me barbarinë sesa me qytetarinë dhe kjo nuk ështe se e ka ndihmuar procesin e qeverisjes ne Shqipëri. Përgjigjia ime është: Jo unë nuk ndihem komod për faktin që kemi përballë një opozitë që nuk na sfidon intelektualisht, nuk na sfidon për t’u sforcuar më shumë dhe për të kërkuar rrugët dhe zgjidhjet më të mira për të adresuar problemet. Por na sfidon duke sfiduar themelet e institucioneve, duke sfiduar themelet e vetë ekzistencës tonë demokratike deri në pikën që të vërë në diskutim se kush janë Shtetet e Bashkuara, kush është ky kush është ai. Deri në pikën që të ngrejë pikëpyetje në integritetin e institucioneve më të rëndësishme të SHteteve të Bashkuara, deri në pikën që të krijojë një frymë të një sovranizmi fshtaresk, në kuptimin më të keq të fjalës..se ku mi gjen fshatarët që punojnë tokën, e ku mi gjen gjithcka që është fshatareske në traditën e mirë të një vendi por në kuptimin e një provincializmi të atyre që kapardisen me costume po nën kostum kanë fantazmën e një të shkuare që nuk ka shans të kthehet në Shqipëri.