MENU
klinika

A po bëhet më shumë për ‘Open Balkan’?

Rama: Ka një reflektim për çfarë s’ka shkuar si duhet

26.11.2021 - 13:32

Kryeministri Edi Rama u pyet sot për zbatimin konkretisht të marrëveshjeve mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ndër vite, teksa ky proces u krahasua edhe me atë të Berlinit. Për shefin e qeverisë shqiptare, sot në mbledhjen e shtatë të dy qeverive ka pasur një reflektim për atë që nuk ka shkuar si duhet në të shkuarën.

“Me Albinin dhe me qeverinë aktuale kemi pasur një qasje dinamike dhe jemi fokusuar tek një numër marrëveshjesh që jo vetëm janë konkrete në fjalë por dhe pjesë e një pune konkrete që është bërë”, tha Rama.

Pyetja: Zoti Albin Kurti u shpreh i kënaqur që u arritën këto marëveshje por të kënaqur janë shprehur dhe 3 paraadhësit tuaj që në 7 vite janë nënshkruar afro 100 marrëveshje në realitet është bërë shumë pak, më duket si kopje e Procesit të Berlinit, takime e nënshkrime e rezultate zero, më shumë po bëhet me nismën e Open Balkan takimet më intensive, fajtor për këtë kush është, burokracia?

Përgjigja e Ramës: Që të themi se jo të gjitha marrëveshjet e firmosura kanë gjetur zbatim këtë mund ta themi pa dyshim. Këtë e kemi diskutuar bashkë që ditën e parë, e kam diskutuar unë sa herë ka pasur një qeveri të re në Kosovë por e para s’është e vertëtë që rezultati është zero.

Një pjesë e tyre janë zbatuar plotësisht një pjesë në zbatim një pjesë kanë ngecur.

E dyta me Albinin dhe me qeverinë aktuale kemi pasur një qasje dinamike dhe jemi fokusuar tek një numër marrëveshjesh që jo vetëm janë konkrete në fjalë por dhe pjesë e një pune konkrete që është bërë.

Përshembull hekurudha e kemi firmosur sot marrëveshjen por ndërkohë e kemi vënë në buxhet për vititn 2022 për studimin e fizibilitetit që do na nxjerrë te projekti me të cilin do aplikojmë ne BE.

Tjetër, kemi folur sa herë për të lehtësuar qarkullimin në kufi e sa herë jemi sprapsur por ama mes ministrave të Brendshëm të qeverive është gjetur një zgjidhje e re e cila edhe një herë e sjell si shembull për tu përgjigur që s’jemi në kushtet e marrëveshjeve që i bëjmë e i lëmë në mbledhjen e ardhshme.

Ka një reflektim për cfarë s’ka shkuar si duhet e ka një punë konkrete që po bëhet.

Sekretariati, mos mendoni që është mekanizëm që e shpikëm ne sot, ka qenë prej kohësh një kërkesë e vetë punës por s’është bërë asnjëherë.

Sot kemi një sekretariat të formalizuar por sekretarin koordinatorin e kemi në punë që prej takimit që bëmë në Prishtinë. Rast konkret e domethënës i një figure që gezon respekt të plotë nga dy palët.

Duhet të jemi pak më vlerësues sic jemi dhe vetë kritikë për cfarë nuk ka funksionuar si duhet në të shkuarën, puna jua do qe ta shihni goten gjysmen bosh mua puna ma do ta shoh goten gjysme plot por rëndësi ka që nga gjysma plot mund të pihet ujë.