MENU
klinika

“Të mos bëhet më qumështi kos”

Rama në “Open Balkan”: Në janar, kufijtë e rajonit do të marrin frymë lirshëm

04.11.2021 - 13:40

Janari i vitit të ardhshëm do të jetë muaji kur do të duken hapat konkretë të nismës së Ballkanit të Hapur, tha sot kryeministri shqiptar Edi Rama.

Nga Beogradi, ku po mbahet takimi i radhës mes liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama shprehet se u diskutua për lehtësimin e procedurave doganore, që “produktet të mos prishen duke pritur disa ditë në kufi”.

I gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur. Produktet nuk mund të rrinë me ditë në kufi, kjo shton koston në mënyrë marramendëse, ndërkohë që ndikon negativisht te produktet. Nuk mund të shkosh në kufi të premten dhe të presësh deri të hënën për të kaluar qumështin, kur ai është bërë kos. Apo për të pritur tre javë konfirmimin nga agjencitë e vendeve të tjera që të marrin produktin.

Rezultatet do të paraqiten në Tiranë, në takimin e radhës në dhjetor dhe do të jenë përfitime për gjashtë vendet e rajonit, jo tre. Nga janari, në kufi fillon një relaksim, do të jetë shumë i lehtë kalimi i mallrave dhe kjo do të ndikojë në rritje ekonomike”.

Kryeminstri tha se fermerët nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut që shesin produkte në vendet e rajonit janë mbështetësit më të mëdhenj nga “Open Balkan”, ndërsa foli për politika që do të thithin më shumë investime të huaja.

Përtej të gjitha mos dakordësive, bizneset meritojnë të jenë më mirë e të kenë lirshmëri në favor të mirëqenies së tyre. Më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është dhe thelbi i kësaj nisme: si të zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona, që mbeten të vogla, por që nëse integrohen me njëra-tjetrën, kthehen në faktor të rëndësishëm edhe për investimet e huaja direkte.

Serbia ka bërë një hap të madh në thithjen e investimeve te huaja. Që të përfitojmë më shumë investime të huaja, që sjellin shumë më tepër punësim cilësor, duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. Na u dha mundësia të ballafaqohemi direkt me sipërmarrësit dhe me problemet e tyre reale, dhe të gjithë njëzëri kërkuan që çfarë do të nënshkruhet në Ballkanin e Hapur të jetë e prekshme në kufi”.

Sipas tij, nisma e Ballkanit të Hapur, ka ndikuar në ardhjen e më shumë turistëve serb e maqedonas në Shqipëri.

Gjatë 8 muajve të fundit, fluksi i turistëve nga Serbia është rritur me 68%, ndërsa nga Maqedonia e Veriut me 22% dhe jam i sigurt që do të rritet akoma më shumë”.

Kryeministri  shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.