Gjatë fjalës së mbajtur në hapje të mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri Edi Rama pasqyroi marrrëveshjet të cilat janë arritur dhe pritet të nënshkruhen midis dy qeverive respektive.
Rama u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes së njohjes së kontributeve shoqërore dhe sigurimeve nga të dyja vendet është një mundësi që i lejon shqiptarëve të zgjedhin se në cilin anë të kufirit do të duan të jetojnë apo ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik. Gjithashtu kryeministri u bëri me dije se së shpejti pritet të hiqen burokracitë për njohjen e diplomave dhe një njohje e tillë do të bëhet vetëm me një klikim online.
“Ndërkohë që sfida e përbashkët është të rrisim zbatueshmërinë e marrëveshjes dhe të realizojmë një sinergji midis dy shteteve. Sot e sjellim bashkëpunimin më pranë njerëzve, çojmë një fazë tjetër lehtësimin e lëvizjes së lirë, lehtësimin e punësimit.
Krijojmë kushte shumë të favorshme për të dyja anët e kufirit për tregun e punës dhe bashkimin gradual të tregjeve në një të përbashkët, ku shqiptarët mund të jetojnë, punojnë dhe krijojnë familje në të dyja anët e kufirit.
Njohja e sigurimeve shoqërore është pjesë e të njëjtës paketë që jep një mesazh për lirinë e zgjedhjes për çdo shqiptar se ku ai do të punoj dhe ushtroj aktivitetin e tij. Përmes një marrëveshje të veçantë studentët në të dyja anët e kufirit do të kenë njohjen automatike të diplomave përmes një aplikimi online, duke hequr burokracinë në të dyja anët. Është një shembull që mund të shërbejë për njohjen e diplomave midis vendeve të rajonit, por edhe më gjerë”, tha Rama.
Kryeministri Rama shprehu ambicien për ndërtimin e një hekurudhe Tiranë-Prishtinë, për të cilën do të bëhet një studim fizibiliteti së shpejti me qëllim synimin e përthithjes së fondeve nga bashkimi Europian për këtë projekt.
“Për hekurudhën Durrës-Prishtinë, nënshkruajmë një pikë akordësimi, për të filluar punimet për planin. Është një ëndërr e kahershme. Sot ne jemi besoj me të drejtë të lehtësuar, pasi hedhim një hap konkret. Dhe nga ana tjetër jemi të bindur se në varësi të këtij studimi, do të mund bashkërisht që të prezantojmë këtë projekt për të aksesuar fonde nga plani europian i investimeve.
Nga ana tjetër jemi shumë të qartë se në të dy anët kemi nevojë që të përmirësojmë kushtet për hapjen e tregjeve dhe shtimin e ndërveprimit tregtar. Një pjesë e rëndësishme e kësaj problematike lidhet me pengesa burokratike. Më vjen mirë që më në fund sot firmosim marrëveshjen për të zbatuar lehtësirat doganore dhe të mallrave. Kemi bërë përçapje domethënëse për të lehtësuar politikat e jashtme, që të forcojmë këtë fushë. Tani jemi në kushtet kur realisht kemi një mundësi që të hapim më shumë hapësira që shërbimet konsullore të të dy vendeve, të zhvillohen në godina të përbashkëta. Kjo krijon adresë unike. Koordinimi ngushtësisht mes nesh është themelor”, tha Rama.