MENU
klinika

Patozi për marrëdhënien Berisha-Basha

“Raporti më hipokrit që ka prodhuar politika shqiptare”

02.11.2021 - 22:46

Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, deklaroi se marrëdhënia Berisha-Basha është raporti “më hipokrit që ka prodhuar politika shqiptare në këto 31 vite”.

“Të dy kanë qenë bashkëpronarë të një partie, që njëri bënte sikur nuk ishte, ndërkohë që ishte shumë i fuqishëm, ndërsa tjetri bënte sikur nuk e linte ish-kryetari që të shpaloste idetë e tij. Të dy kanë bërë sikur dhe të dy janë bashkëpërgjegjës për sukseset apo dështimet e PD-së në 8 vitet e fundit. Ideja është që në këto 8 vite, PD-ja nuk ka suksese. Sali Berisha, me gjithë të drejtën që ka për të bërë lëvizjet e tij politike, nuk mund të thotë kurrsesi që Lulzim Basha ka shkelur statutin e partisë. Këtë gjë, Basha e ka bërë 8 vite rresht, çdo ditë që ka qenë kryetar i partisë. Gjithashtu, Sali Berisha është shkelësi më i rëndë i statutit të partisë sepse në vitin 2013 e ka shkelur në mënyrë ekzemplare, kur Basha u bë kryetar. Sepse ne nuk e kishim në statut që kryetari të zgjidhej me “një anëtar, një votë”, por këtë e vendosi në mënyrë arbitrare Sali Berisha. Ne e shkelëm rëndë statutin sepse Berisha donte t’ia shtronte qilimin e pushtetit të PD-së, Lulzim Bashës. Pastaj, vendosi edhe rregullin që fituesi i merr të gjitha dhe humbësi asgjë”, u shpreh Patozi.

Sipas tij, “Basha dhe Berisha ngjajnë me atë çiftin që është ndarë, por nuk bën letrat e divorcit për shkak të fëmijëve”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN