Mendimi i krijuar në Shqipëri se“të jesh kryetar apo anëtar i Partisë Demokratike, je i djathtë” është i gabuar. Këtë mentalitet dhe psikologji të shtrëmbëruar e krijoi ndër vite Sali Berisha. Ai vinte nga rradhët e PPSH-së, dhe ishte i formuar si komunist,po aq sa vinin të tjerë drejtues më poshtë se si, dhe që u bënë bashkëpunues të zellshëm pushteti të tij, nga dita e themelimit deri ditën kur i u “dorëhoq”. Partia Demokratike (e Sali Berishës) u themelua mbi frymën dhe interesin e kryetarit dhe klanit të tij.
Ajo u themelua si parti-pronë, që edhe pse në programin e saj demagogjik kishte “interesin e ish-pronarëve,ish-të përndjekurve dhe shtresave të djathta”, asnjëherë nuk forcoi dhe përfaqësoi interesat e tyre. Denigrimi, përjashtimi dhe zhgënjimi që pësoi shtresa e djathtë nga Partia Demokratike, ishte një përgjigje e turpshme që ajo mori, pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës në Mars 1992 dhe në vazhdim. Edhe pse, të djathtët tradicionalë e mbështetën, e votuan, e ndihmuan dhe i besuan premtimeve të tij, ata kurrë nuk u trajtuan njerëzish,nga Berisha dhe klani i tij pushtetmbajtës.
Dhuna ndaj të djathtës, përdorimi i policisë apo dhe SHIK-ut, ishte dëshmia më e mirë e mashtrimit të Berishës ndaj atyre që besuan se “ai ishte i zbrituri i Zotit në tokë për të sjellë demokracinë dhe ndrequr padrejtësitë në Shqipëri”. Dihet se si u trajtuan ish-pronarët, që u zhvatën, rrahën, rrënuan dhe vdiqën korridoreve të gjykatave, pasi trojet, tokat dhe pasuritë e tyre i rrëmbenin xhupzinjtë e pushtetit të Partisë Demokratike. E djathta, kurrë nuk erdhi, kurrë nuk ka patur dhe kurrë nuk ka konsumuar pushtet në Shqipëri. Shkaktari kryesor,ka qenë dhe mbetet ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.
Njeriu i pandryshueshëm në botëkuptimin dhe formimin e tij bajraktarist, sot kërkon sërish të afrojë dhe mashtrojë përfaqësonjësit e të djathtës në Shqipëri. Pasi i la rrugëve, i nxorri me shkelma e dhunë nga grevat e tyre vite më parë, pasi i denigroi dhe mashtroi për 2 dekada me “poste dhe ofiqe pasi të merrte pushtetin”, sot nga “Foltorja”, ai u kërkon mbështetje, dhe u premton “vendosje në piedestalin e duhur të dinjitetit të tyre njerëzor”.Por, po aq rradikal me shtresën e të përndjekurve dhe ish-pronarët (sepse të tillë quhen edhe sot pas 30 vitesh) është edhe Lulzim Basha, pasuesi i tij. Një fjalë e urtë thotë “bëmë të të ngjaj”. Kjo ka ndodhur edhe me Lulin, ish-të përkëdhelurin e Berishës. E djathta, është “delja e zezë” për kryetarin aktual të Partisë Demokratike. Ai ka 8 vite që i mashtron, që u premton “futjen në listën e deputetëve” dhe pastaj, nuk u hap as telefonin. Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, ku Lulzimi “i dha fjalën e burrit” kryetarit tyre për emrat e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë,dhe pasi i mashtroi,u mbylli edhe derën e partisë.
Një pikë e veçantë në librin e themelimit të Partisë Demokratike, ishte dikur edhe ajo, ku thuhet se “kjo forcë e re politike përfaqëson zërin dhe shpresat e shtresave të shtypura nga ish-regjimi komunist, ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve”. Por duket se ndihma dhe vota e tyre, u deshën për të fituar pushtetin në 1992, dhe pastaj duke i mashtruar ata edhe në 2005 nga Berisha. Pas tij, ishte rradha e Bashës, që duke ecur saktësisht mbi “shinat e babait politik” ka krijuar ndasi të pariparueshme me të djathtët realë në Shqipëri.Në foltoren e Sali Berishës, kanë qenë të shumtë zërat e atyre që përfaqësojnë të djathtët sot, dhe që i kanë kërkuar llogari atij, për gjithçka ka ndodhur mes tyre dhe Partisë Demokratike në 30 vjet.
Problemi ndoshta është fare i thjeshtë, dhe vetëm pyetja “sa të djathtë janë Berisha dhe Basha” do të mjaftonte të mos votohej për të dy ata, as në 11 apo 18 Dhjetor, për të humbur shansin e “artë”të rithemelimit të një partie të vërtetë demokratike, pa demagogë të konsumuar dhe abuzantë pushtetesh.