MENU
klinika

Thirrja për kryetarin Lulzim Basha

Sali Berisha dorëzon sot 4200 firma për Kuvendin e Partisë Demokratike!

10.11.2021 - 11:03

Një muaj para datës kur Berisha ka thirrur Kuvendin Kombëtar, ish-Kryeministri lajmëroi dje nga “foltorja” e Pogradecit se sot do të depozitohen në selinë blu kërkesa me 4200 firma për mbledhjen e Kuvendit.

Berisha i bëri thirrje kryedemokratit Basha që të përkulet para demokratëve, sepse më 11 dhjetor do të vijnë në mbledhjen e kuvendit 10 mijë anëtarë të PD-së.

“Për peng-kryetarin kam një lajm shumë të hidhur. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti: përkulu përpara firmave të anëtarëve të PD-së, sepse 4200 kanë firmosur dhe në atë Kuvend do të vijnë 10 mijë të tjerë. Do të jetë festa më e madhe në historinë e PD-së. Do të jetë triumfi i saj, rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren vendimtare ndaj narkoshtetit”, tha Berisha. Ish-Kryeministri akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për sjellje autoritare dhe jo si një njeri i arsimuar në Perëndim.

“Kryetari pa parti zgjodhi të shkëputet përfundimisht me ju. Komunikon me muret. Nuk njeh ligj apo statut. Sillet sikur të ishte shkolluar në Korenë e Veriut. Pas shkelmimit të forumeve dhe shkëputjes nga anëtarësi dhe kjo sepse nuk është më vetja e tij, në vend të dorëheqjes, vijon zbaton urdhra si peng. Njëherë thotë se për mua nuk ka forume, statut, kuvend. Një herë tjetër deklaron se kanë ikur kohërat. Po një njeri që nuk ka pasur kohë kurrë nuk mund të flasë për kohën. Ju kërkoj ndjesë për heshtjen time. Ju garantoj se nuk ka pasur asnjë shkak mbi tokë, veç zotimit që nuk do të kthehesha më. Gabim i jetës sime që në 2017- ën, kur i kërkova dorëheqjen, duhej të dilja në garë dhe të shpëtonim PD-në nga një njeri që nuk e meritoi kurrë drejtimin e saj”, deklaroi Sali Berisha. Një mesazh ish-Kryeministri Sali Berisha ia dërgoi edhe Kryeministrit Edi Rama. “Edvin, je i pashpresë dhe foltorja të ka kallur datën. Të garantoj se me Sali Berishën do të bashkohen të gjithë burrat e gratë që i besojnë dinjitetit njerëzor, të gjithë ata të cilët jetojnë me djersën e ballit të tyre. Ndaj dua të të ftoj në një debat televiziv, të t’i numëroj para mbarë shqiptarëve të gjitha krimet dhe mëkatet e këtyre viteve”, u shpreh Berisha.

SHPËRDORIMI I PARAVE

Nga “Foltorja” e Pogradecit ish-Kryeministri Sali Berisha theksoi se ekonomia shqiptare rrezikon të shembet. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se qeveria ka rritur borxhin 100%, ndërsa deklaroi se në 8 vite janë zhdukur 23 miliardë euro.

“Çfarë ndodh në këtë narkoshtet? Vjedhja e djersës suaj është ligji i parë dhe themelori i tij. Ka rritur borxhin afërsisht në 100%. Ekonomia shqiptare rrezikon të shembet si një piramidë. Borxhi i shtetit është si i individit. Kur një individ merr një borxh, mendon se çfarë do të bëjë më këta para dhe si do t’i kthejë. Kur shteti merr një borxh, kthimin e bëni ju. Qindarkë për qindarkë i paguan qytetari. 720 milionë euro mori këtë vit. Në 8 vite, 23 miliardë euro borxh. Çfarë ka ndërtuar! Ku shkuan këto miliarda, që të gjitha u shpenzuan në punime me kosto 8 herë më të larta se realiteti. Tuneli i Kërrabës është ndërtuar me 50 mln euro km. Unaza e Re zgjerohet me kosto 25 mln euro km. Çfarë ndodh këtu? Këta vjedhin dhe vetëm vjedhin”, vijoi ishKryeministri.

Berisha ngriti akuza të forta teksa u shpreh se shqiptarët po largohen pasi Kryeministri Edi Rama e zëvendësoi shtetin ligjor me narkoshtetin. “Shqiptarët nuk largohen nga Shqipëria se nuk duan vendin e tyre, përkundrazi, në raport me vendin, mallin e kanë më të madh se gjithë të tjerët. Largohen sepse nuk ndërtojnë jetën e tyre, sepse dikush me politikat që ndjek vret tek ata shpresën dhe besimin se ky vend mund të bëhet, sepse Edi Rama zëvendësoi në këtë vend shtetin ligjor me narkoshtetin. Ndërtoi shtetin në të cilin në çdo vendim në rrugë, në biznese, në Parlament, në qeveri vendos mafia dhe vetëm mafia”, tha Berisha.