Ndeshja Tottenham-Manchester United, e përfunduar 0-3, dha një përshpejtim të bujshëm në merkaton e trajnerëve. Nga njëra anë Solskjaer ka fituar kohë dhe ka forcuar pozicionin e tij në pritje të sfidave me Atalantën dhe Cityn.
Ndërsa nga ana tjetër, ka çuar në shkarkimin e Nuno Espirito Santos, i cili paguan tri humbjet në katër ndeshjet e fundit dhe vendin e tetë në Premier League. Spurs tani mendojnë për Antonio Conten, me të cilin kanë nisur kontaktet menjëherë.
Fabio Paratici tashmë po bën presion për trajnerin me të cilin ka punuar dhe ka fituar shumë te Juventus. Conte kërkon të rikthehet në punë në fushë pas një periudhe pasiviteti, por për të thënë “po”, do të kërkojë garancinë e një projekti të rëndësishëm tekniko-ekonomik.
Po flasim për një kontratë shumëvjeçare, të paktën 3 vjet, prej 15 milionë euro në sezon dhe plus garancinë e një afati kalimtar të rëndësishëm dimëror me firmat e 3 apo 4 lojtarëve për të përforcuar skuadrën.