MENU
klinika

1 USD tani po këmbehet me 10 TL

“Shkrin” Lira turke, zhvlerësim rekord gjatë vitit

12.11.2021 - 12:01

Monedha turke është duke “shkrirë” me shpejtësi të madhe duke kaluar gati në një kurs prej 10 TL për 1 dollar amerikan dy javë pas vendimit të guximshëm të Bankës Qendrore të turqisë për të ulur normën bazë të interesit në 16%.

Vetëm gjatë ditës së djeshme ajo u zhvlerësua edhe me 1.2 për qind të tjera ndaj dollarit amerikan duke kapur shifrën e 9.975 TL për 1 USD.

Me këtë rënie gjatë ditës së djeshme, monedha turke ndodhet vetëm pranë kufirit psikologjik prej 10 TL për 1 USD.

10 vjet më parë kursi i këmbimit të monedhës turke ishte 1.8 TL për 1 dollar, por gjatë pesë viteve të fundit pLira ka humbur rreth 2/3 e vlerës së saj, ndërsa këtë vit është nënçmuar me gati 25%. Arsyeja sigurisht është politika monetare e ndjekur nga Banka e Turqisë me urdhër të presidentit turk, duke mbajtur të ulët koston e huamarrjes, pavarësisht inflacionit të vazhdueshëm dyshifror, si edhe tensionet e brendshme dhe të jashtme të shkaktuara prej këtij të fundit.

Ulja e normave të interesit dy javë më parë ishte e dyta në dy muajt e fundit. Që prej muajit shtator, Banka e Turqisë ka ulur me 3 pikë përqindje kostot totale të huamarrjes, ndërkohë që pretendon se presionet inflacioniste janë një zhvillim i përkohshëm.

Ajo që kërkon Erdogan, duke emëruar dhe shkarkuar Guvernatorët e Bankës Qendore janë kreditë e lira, të cilat sipas tij rimëkëmbin ekonominë duke mos marrë në konsideratë zhvlerësimin e monedhës turke. Ekspertët parashikojnë edhe dy ulje të tjera të normës së interesit nga Banka Qendrore e Turqisë gjatë muajve të ardhshëm duke bërë që Lira të zhvlerësohet edhe më tej.