Policia e Lezhës ka arrestuar një 30-vjeçar me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që lëvizte me automjet nga Miloti në drejtim të Lezhës, i cili dyshohej se posedonte lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip “Volkswagen”.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj pasagjerit në mjet, shtetasit R. T., shërbimet e Policisë i kanë gjetur lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. T., 30 vjeç, banues në Shkodër.