MENU
klinika

Ndihma ekonomike

Si do të ndryshojnë pagesat përgjatë 2022

16.11.2021 - 20:35

Ndonëse pagesa ndihmës ekonomike do të rritet për të gjitha familjet përfituese të skemës, për disa prej kategorive të listuara si më në nevojë, nga viti i ardhëshëm rritja e kësaj pagese do të jetë deri në trefish të masës aktuale. Konfirmimin e ka bërë vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirli në fjalën e mbajtur dje në Kuvend, ku dhe ka detajuar shtresat e familjeve në nevojë për të cilat do të bëhet edhe rritja maksimale e kësaj pagese.

Sipas parashikimeve, janë mbi 15 mijë familje që janë pjesë e kësaj skeme dhe që kanë tre fëmijë deri në moshën 18 vjeç të cilat do të përfitojnë dyfishimin e pagesës së ndihmës ekonomike. Ndërkohë që rritja e kësaj pagese do të jetë edhe më e madhe për fëmijët me statusin e jetimit, si dhe gratë e trafikuara dhe ato me urdhër mbrojtjeje.

“Çdo familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të ketë 10 për qind rritje të pagesës me buxhetin e parashikuar për vitin 2022. Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familjet e kësaj skemë që kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi dhe për gratë e trafikuara dhe me urdhër mbrojtje”, deklaroi ministrja Manastirliu në fjalën e saj.

Aktualisht pjesë e skemës së ndihmës ekonomike janë të gjitha familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme. Sipas kushteve të përcaktuara të gjitha këto familje dhe dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin. Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët çertifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore. Prej disa muaj aplikimi për ndihmën ekenomike ka nisur të bëhet edhe online nëpërmjet portalit qeveritar “e-albania”.

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit merret vendimi për këto familje. Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situates ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.

Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 muaj tek zyra e administratorit shoqëror i cili plotëson deklaratën social-ekonomike dhe e hedh në sistem si dhe verifikon gjendjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social-ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.

Investimet në shëndetësi

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend ministrja Manastirliu tha se do të jetë në fokus përballimi i pandemisë dhe efekteve post-Covid-19. Sipas saj janë 7 miliard lekë më shumë buxhet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe përballimin e impaktit të pandemisë dhe efekteve post-covid, duke dedikuar 2,7 miliard programit të vaksinimit anti-covid të popullatës. Për mbështetjen e strategjisë së testimit, gjurmimit, survejancës, kujdesit shëndetësor në sistemin parësor dhe spitalor, barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të gjithë strukturat spitalore.

Teksa u ndal në financimin e shërbimeve në kujdesin parësor, ministrja Manastirliu tha se: “Financojmë rimbursimin e barnave për më shumë se 450 mijë qytetarë falas për të sëmurët kronikë, duke përfshirë këtu edhe paketën anticovid për trajtimin ambulator. Për herë të parë, do të financohet paketa e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç, si një program kujdesi universal falas për mbi 300 mijë fëmijë. Do të vijojmë të mbështesim 100 për qind falas paketat mjekësore, duke përfshirë dializën, transplantin e veshkave, të gjithë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirugjisë, të radioterapisë, kataraktit, për mbi 15 mijë pacientë në vit”.

Sa i takon investimeve për vitin 2022, Ministrja e Shëndetësisë parashikon që me buxhetin 2022 do të përfundohen investimet madhore të nisura, teksa do të hapen edhe investime të reja, nga kujdesi parësor në atë terciar, duke nisur nga përfundimi i Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe rikonstruksionin e Spitalit të Pediatrisë në QSUT, tek zgjerimi dhe modernizimi i spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Do të përfundojë gjithashtu materniteti dhe spitali i Kukësit, si dhe rehabilitimi i plotë të Pediatrisë së Elbasanit. Do të përmbyllet rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare Terapeutike Rehabilituese të Fëmijëve në Tiranë. Me buxhetin e ri do të nisë puna për rikonstruksionin e Spitalit Infektiv, do të rehabilitohet Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut si dhe do të vijojë programi i rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, me 50 qendra dhe ambulanca të tjera.

Po ashtu do të vijojë edhe mbështetja për mjekët dhe infermierët dhe gjithë personelin tjetër të strukturave mjekësore në vend. “Qeveria shqiptare do të vijojë mbështetjen për profesionistët e shëndetësisë, duke financuar politikën e rritjes së pagave dhe duke siguruar në buxhetin 2022 rritjen me 6 për qind të pagës, menjëherë pas rritjes historike të pagave me 40 për qind që iu bë mjekeve dhe infermiereve tanë nga Janari 2021”, shtoi më tej ministrja Manastirliu.

Rritja e ndihmës ekonomike

Çdo familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të ketë 10 për qind rritje të pagesës me buxhetin e parashikuar për vitin 2022.
Pagesa e ndihmës ekonomike do të dyfishohet për 15 mijë familjet e kësaj skemë që kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç.
Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi dhe për gratë e trafikuara dhe me urdhër mbrojtje.

Ndihmë ekonomike përfitojnë:

Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme.
Jetimët të cilët nuk janë në institucione.
Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre.
Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.