MENU
klinika

Arrestimi i punëtorëve të “Call-Center”, pronari iku!

Si funksionon skema e mashtrimit e shtrirë në dy shtete europiane

19.11.2021 - 12:02

Tetë punonjës të një kompanie “call center”-i në qytetin e Shkodrës të përfshirë në një skemë mashtrimi ndërkombëtar janë vënë në pranga, por pronari i kompanisë i ka shpëtuar arrestimit.

Operacioni i koduar “North Forex” çoi prapa hekurave gjashtë vajza dhe dy djem, ndërsa tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia tha se ka arrestuar nën akuzën e mashtrimit kompjuterit shtetasit Elisa Kolndreu, Olda Shpendi, Aishe Baci, Senada Alija, Sonila Alija, Ervin Osja, Nikolin Toma, Ysniela Dalipi.

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve Pawel Wziontek, 27 vjeç me shtetësi polake, pronari i kompanisë, si dhe shtetaset Alma Sokoli, 21- vjeçe, bashkëjetuesja e tij dhe Klodiana Memo, 38 vjeçe.

OPERACIONI

Operacioni policor i koduar “North Forex”, u zhvillua nga forcat e Policisë së Shkodrës pas një hetimi për një periudhë 1-vjeçare. Të arrestuarit dhe personat e shpallur në kërkim, kishin krijuar një skemë që kryesohej nga shtetasi polak Pawel Wziontek, i cili kishte rekrutuar si menaxherë shtetasit shqiptar Ysniela Dalipi, Klodian Memo dhe Nikolin Toma. Në skemën e mashtrimit kishin përfunduar shtetas të huaj, veçanërisht nga Spanja dhe nga Gjermania.

“Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si ‘Vicidial’, ‘Forex’ dhe ‘Exchange’, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë”, sqaron Policia.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi Pawel Wziontek, me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë.

“Po vazhdojnë hetimet për verifikimin e të gjitha investimeve në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë bërë personat e përfshirë në ketë veprimtari, në koordinim dhe me autoritetet gjermane, spanjolle dhe polake, me qëllim konfiskimin e të gjitha aseteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme”, sqaron gjithashtu Policia.

Njëkohësisht, vijon puna për evidentimin e të gjitha subjekteve “call center” që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme me anë të mashtrimeve kompjuterike, brenda dhe jashtë vendit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

SKEMA

Nga hetimet e mëparshme, hetuesit kanë zbuluar edhe skemën se si qytetarët mashtrohen. Fillimisht zhvillohen telefonata te qytetarët, kryesisht të moshave të thyera. Në pjesën më të madhe të rasteve, telefonuesit u kërkojnë qytetarëve që të investojnë kursimet e tyre në këtë lloj burse pasi për pak kohë fitimi do të dyfishohet. Por, një gjë e tillë nuk ndodh asnjëherë.

Përkundrazi, të gjithë ata që pranojnë të dërgojnë paratë përmes bankës, i humbasin edhe para ata përgjithmonë.

Përgjithësisht, “Call Center”-at që funksionojnë në këtë formë qëndrojnë në treg për pak kohë, aq sa mund të vjedhin qytetarë pa u kuptuar nga autoritetet dhe më pas zhduken pa lënë gjurmë.

Zbardhet letërporosia e prokurorisë gjermane për SPAK-un

Prokuroria e Posaçme po heton 13 kompani “call center”-i, të cilat dyshohet se përgjatë 2 viteve kanë mashtruar shtetas të ndryshëm të vendeve të BE-së, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash. Ishte një letërporosi e autoriteteve të drejtësisë gjermane pas denoncimit të një gruaje, që kishte humbur 9700 euro nga mashtrimi i një kompania “call center”, e cila vuri në lëvizje SPAK-un. Në kërkesat e renditura në letërporosi, prokuroria gjermane nënvizon 3 data konkrete, kur janë kryer telefonatat, oraret përkatëse, si dhe vendin nga ku janë kryer. Burime nga grupi hetimor thanë se tashmë po verifikohen adresat e këtyre “call center”- ave përmes IP-së së internetit.