MENU
klinika

Dyshohen për mashtrime me pasoja të rënda, ja skema

SPAK hetim për kompanitë e “Call Center”-ve, kërkesë nga Gjermania

02.11.2021 - 16:29

Të paktën 13 kompani “Call Center”-i janë vënë nën hetim nga SPAK-u për mashtrimin me pasoja të rënda në kuadër të veprave kriminale, të cilat dyshohet se u kanë bërë dhjetëra qytetarëve europianë. Hetimi ndërkombëtar është kërkuar nga Gjermania, pasi mësohet se bëhet fjalë për një platformë ku qytetarët komunikohen përmes telefonit e rrjeteve sociale dhe i kërkohet të investojnë shuma të mëdha parash, mbi një mijë euro.

Mësohet se janë 13 kompani “Call Center”-i, por hetimi mbahet i fshehtë dhe nuk ka informacione për emrat e tyre. Qytetarët kanë rënë pre e një skeme mashtrimi financiar duke u kontaktuar nga specialistë të trajnuar në fushën e tregtisë nga të ashtuquajturit ndërmjetës dhe menaxherë. Ata mashtrohen duke investuar jashtë vendit të tyre në depozita financiare të rreme. Këto skema mashtrimi shfrytëzohen nga disa kompani, në bazë të së cilave bëhet zhvatja e parave të klientëve.

Fillimisht zhvillohen telefonata tek qytetarët, kryesisht të moshave më të thyera. Në pjesën më të madhe të rasteve, telefonuesit u kërkojnë qytetarëve që të investojnë kursimet e tyre në këtë lloj burse pasi për pak kohë fitimi do të dyfishohet. Por, një gjë e tillë nuk ndodh asnjëherë. Përkundrazi, të gjithë ata që pranojnë të dërgojnë paratë përmes bankës, i humbasin edhe para ata përgjithmonë. Përgjithësisht, “Call Center”-at që funksionojnë në këtë formë qëndrojnë në treg për pak kohë, aq sa mund të vjedhin qytetarë pa u kuptuar nga autoritetet dhe më pas zhduken pa lënë gjurmë.

Në këtë formë, kanë rënë pre e mashtrimit mijëra qytetarë nëpër botë, të cilët duke u nisur nga mendimi pozitiv për të investuar kursimet, kanë përfunduar duke humbur gjithçka. Pas hetimeve të Policisë për identifikimin dhe lokalizimin e këtyre “Call Center”-ave që dyshohen se përdorin sistemet e mashtrimit për të zhvatur me qindra qytetarë europianë me fabulën se do kenë fitime të mëdha në qoftë se investojnë në bursë, pranë Prokurorisë së Posaçme dhe asaj të Tiranës janë përcjellë letër-porositë e homologëve europianë, si atyre nga Gjermania, Italia dhe disa vendeve nordike për të identifikuar e lokalizuar selitë e telefonatave agjentëve të rremë. Autoritetet e huaja kërkojnë të identifikohen disa numra llogarie bankare, numra telefoni dhe personat që qëndrojnë pas këtij biznesi të jashtëligjshëm që po vjedh qytetarët e tyre nga Shqipëria.